Bajqinovci ik nga seanca ku po diskutohet për RTK-në, e kritikon ish-qeveritë duke shkruar statuse në Facebook

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci si duket po e ka më të lehtë të shkruaj në Facebook, në lidhje me RTK-në sesa të flas para deputetëve në seancë. Kur në seancën e Kuvendit të Kosovës, opozita po e fajëson pushtetin se e ka “kapur” Radiotelevizionin e Kosovës, Bajqinovci ka reaguar përmes një postimi në…

Lajme

04/11/2024 14:33

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci si duket po e ka më të lehtë të shkruaj në Facebook, në lidhje me RTK-në sesa të flas para deputetëve në seancë.

Kur në seancën e Kuvendit të Kosovës, opozita po e fajëson pushtetin se e ka “kapur” Radiotelevizionin e Kosovës, Bajqinovci ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shkruar se kur PDK-ja ishte në pushtet familjarë të liderëve të PDK-së, kryetarëve të komunave e deputetëve janë punësuar në RTK.

Bajqinovci gjithashtu ka përmendur edhe radhitjen e lajmeve qendrore në RTK gjatë kohës së qeverisjes nga opozita e sotme, shkruan lajmi.net.

“Familjarë të liderëve dhe disa deputetëve dhe kryetarëve të komunave të opozitës janë punësuar në RTK. Ata që flasin sot për kapjen e RTK-së duket se harrojnë se për 20 vjet lajmet qendrore në RTK ishin të njëjtat skenarë: Lajm i parë – PDK, lajmi i dytë – PDK, i treti – PDK, lajm i katërt PDK, lajm i pestë AAK dhe LDK e kështu me radhë, duke përfunduar me ndonjë lajm për opozitën.
Mos harroni kur stafi i presidentit Thaçi u jepte urdhra gazetarëve se si duhej të pyetej ai në intervista, dhe jo rrallë herë, ishte e dukshme se pyetjet ishin të “kurdisura”. Këta që sot flasin për RTK-në kinse po e mbrojnë. Veç merrni emrat e familjarëve të politikanëve dhe e shihni kush e ka plasur RTK-në. Filloni me emra dhe e shihni”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.
Në Kuvendin e Kosovës sot po diskutohet për publikimin e lajmit të “Slobodna Bosna” në RTK dhe përfshirjen e AKI-së aty, ndërsa pozita ka lëshuar sallën. /Lajmi.net/