Dosja ndaj 6 të dyshuarve për fajde: I morën të dëmtuarit para, banesa e lokale në emër të borxhit për fajde

Të dyshuarit Leotrim Muçaj, Bekim Kabashi, Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Durim Gashi dhe Kujtim Kabashi, dyshohen se nga i dëmtuari M.K., në emër të borxhit për fajde përfituan shuma të mëdha parash, banesa e lokale. Ndaj gjashtë të pandehurve është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç). Lajmin për…

Lajme

04/11/2024 11:07

Të dyshuarit Leotrim Muçaj, Bekim Kabashi, Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Durim Gashi dhe Kujtim Kabashi, dyshohen se nga i dëmtuari M.K., në emër të borxhit për fajde përfituan shuma të mëdha parash, banesa e lokale. Ndaj gjashtë të pandehurve është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

Lajmin për caktimin e masës ndaj të dyshuarve e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurori i rastit, Petrit Kryeziu.

Sipas Prokurorisë, gjashtë të pandehurit të cilët u arrestuan më 31 tetor në operacionin policor “Milioni”, dyshohen për veprën penale “Fajdeja”, ndërsa Bekim Kabashi, Xhevdet Kokollari e Kujtim Kabashi dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje. E Durim Gashi dyshohet edhe për “Detyrim”.

Më 1 nëntor 2024, Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Leotrim Muçajt, Bekim Kabashit, Lulzim Ahmetajt, Xhevdet Kokollarit, Durim Gashit dhe Kujtim Kabashit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Leotrim Muçaj dyshohet se në kohë të pavërtetuar nga viti 2020 deri në fillimin e hetimeve e në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje e me qëllim të përiftimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit.

Këtë, thuhet se e bëri duke shfrytëzuar gjendjen financiare të të dëmtuarit M.K., i cili pasi kishte filluar të merret me gastronomi për hapjen e një restoranti dhe i duheshin para për të investuar në biznes, merr 10 mijë euro nga i dyshuari Muçaj me kamatë mujore prej 10%, e në pamundësi të pagesës me kohë, kamata i grumbullohet në 30 mijë euro.

Për të shlyer këtë shumë, sipas Pokurorisë, i dëmtuari u detyrua t’ia dorëzojë Muçajt banesën e tij prej 112 m², në vlerë prej 65 mijë euro. Në vitin 2022, thuhet se i dëmtuari duke qenë sërish në vështirësi, merr nga i dëmtuari 10 mijë euro me kamatë mujore prej 10% dhe në pamundësi kthimi, kamata arrin në 14 mijë euro. Andaj, u detyrua t’ia dorëzojë Muçajt një banesë tjetër prej 80 m², me vlerë tregu 44 mijë euro.

Në total, thuhet se M.K., në emër të kamatave për të dyshuarin Leotrim Muçaj ka paguar shumën prej 89 mijë euro, duke i shkaktuar humbje në shkallë të madhe.

Me këto veprime, Muçaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari Bekim Kabashi, në kohë të pavërtetuar gjatë vitit 2021, deri në fillim të hetimeve në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke shfrytëzuar vështirësitë financiare të të dëmtuarit M.K., kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit.

Aty thuhet se pasi të dëmtuarit i duheshin para për pagesën e një leje të ndërtimit të një objekti banesor në Shirokë, merr nga Kabashi 75 mijë euro fillimisht me kamatë mujore prej 8%, e në pamundësi të pagesës kamata iu grumbullua në 24 mijë euro. Në pamundësi për të paguar këtë shumë, i dëmtuari është detyruar t’ia japë Kabashit një banesë prej 300 m², me vlerë 150 mijë euro, dhe një lokal afarist me sipërfaqe 242 m², me vlerë totale prej 205 mijë e 700 euro.

Banesa dhe lokali, thuhet se ndodhen në fshatin Shirokë të Suharekës, Në total, i dëmtuari ka pësuar dëm që kap vlerën e 280 mijë e 700 eurove.

Me këto veprime, Bekim Kabashi dyshohet se ka kryer veprën penale të “Fajdesë”, sipas nenit 331, par.3 lidhur me pa.1 të Kodit Penal.

Gjthashtu i pandehuri Bekim Kabashi, dyshohet se nga data e pavërtetuar deri më 31 tetor 2024 në shtëpinë e tij posedoi pistoletë në kundërshtim me ligjin për armët si dhe dy karikatorë me 30 fishekë, një pushkë gjuetie me 28 fishekë dhe 17 fishekë të tjerë, pa leje.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Kurse, Lulzim Ahmetaj dyshohet se në kohë të pavërtetuar në prill të vitit 2022 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen financiare të të dëmtuarit M.K., ashtu që pasi i dëmtuari ishte futur në borxhe, merr nga i dyshuari Lulzim Ahmetaj shumën e të hollave prej 7 mijë euro me kamatë javore prej 2 mijë euro, ku i dëmtuari ka arritur të paguajë për katër javë rresht shumën prej 8 mijë euro.

Më tej, thuhet se në pamundësi të pagesës me kohë, kamatat iu grumbullohen në shumën prej 12 mijë euro dhe në pamundësi të kthimit të këtyre kamatave, i dyshuari, me pretendimin se kinse të hollat nuk ishin të tijat, të dëmtuarit i ofron si ndihmë një traktor, të cilin ia llogaritë në vlerë prej 12 mijë euro dhe nëntë krerë lopë, të cilat ia llogaritë në vlerë prej 17 mijë euro. Pas shitjes së tyre, me ato të holla i dëmtuari thuhet se i paguan kamatat për të pandehurin.

Sipas Prokurorisë, meqenëse ishin rritur edhe më tutje kamatat, sërish, i pandehuri i ofron të dëmtuarit një veturë “Pick Up”, të cilën ia llogarit në shumën prej 5 mijë euro dhe tjerë krerë lopë në shumë të përgjithshme prej 60 mijë euro. Në pamundësi të kthimit të të hollave, nga i dëmtuari në emër të kamatës nënshkruan parakontratë për marrjen e një banese me sipërfaqe prej 100 m², një lokal me sipërfaqe prej 100 m² dhe një garazh, të gjitha në të njëjtin kompleks banesor, të cilat kapin vlerën prej 150 mijë euro.

Me këto veprime, Ahmetaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Prokuroria thekson se në kohë të pavërtetuar gjatë vitit 2022 deri në fillim të hetimeve dhe në vazhdimësi në Suharekë, i dyshuari Xhevdet Kokollari, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke e shfrytëzuar gjendjen financiare në të cilën ishte futur i dëmtuari M.K., pasi që i dëmtuari ishte futur në borxhe, nga i dyshuari K., merr shumën e të hollave në shumë prej 10 mijë euro, me kamatë mujore prej 30%. Aty thuhet se i dëmtuari arrin që për një vit të paguajë nga 3 mijë euro në muaj, në total paguan 36 mijë euro, kurse borxhi bazë në shumë prej 10 mijë euro mbetet i pambyllur.

Në pamundësi të pagesës së borxhit, thuhet se kamatat grumbullohen dhe i dëmtuari sërish nga i pandehuri merr disa krerë lopë në vlerë prej 36 mijë euro dhe në pamundësi të kthimit të këtyre kamatave, i pandehuri e obligon të dëmtuarin në pagesën e kamatave prej 90 mijë euro ose, në të kundërtën t’i ofrojë objekt banesor me sipërfaqe prej 200 m² në kundërvlerë për kamatën prej 90 mijë euro, e kështu i shkakton të dëmtuarit dëm dhe humbje në shkallë të madhe.

Me këto veprime, Xhevdet Kokollari dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par. 3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Gjithashtu, Kokollari dyshohet se në datë të pavërtetuar deri më 31 tetor 2024, në Prizren, në shtëpinë e tij, posedonte armë në kundërshtim me ligjin dhe në posedim kishte pistoletën, së bashku me një karikator dhe 9 fishekë, e për të cilën armë nuk posedonte leje nga organi kompetent.

Me këtë, dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

I dyshuari Durim Gashi, thuhet se nga muaji qershor 2021 e deri në fillim të hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke e shfrytëzuar gjendjen financiare në të cilën gjendej i dëmtuari M.K., pasi që i dëmtuari nuk po arrinte që të paguante kamatat tek personat e tretë, ka kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale në këmbim të dhënies së borxhit.

Aty thuhet se në muajin qershor të vitit 2021, pasi kupton që i dyshuari Durim Gashi lëshon para me fajde, i dëmtuari shkon në një pompë derivatesh që ndodhet në fshatin Korishë dhe merr shumën e të hollave në vlerë prej 20 mijë euro me kamatë mujore prej 8%. Më pas, nga ajo ditë brenda një muaji e gjysmë disa herë merr të holla kesh, duke arritur në shumën prej 120 mijë euro, të gjitha këto kamatë mujore prej 8%, praktikisht me interes mujor në shumën prej 10 mijë euro. I dëmtuari gjatë 12 muajve rresht arrin që të paguajë kamata mujore nga 10 mijë euro, duke i dhënë gjithsej rreth 120 mijë euro në emër të kamatave, por që pas kësaj kohe i dëmtuari nuk arrin më që të paguajë kamatat.

Andaj, thuhet se në muajin qershor të vitit 2023, i dyshuari takohet me të dëmtuarin dhe me vëllanë e tij L.K., ku në emër të kamatave kërkon shumën prej 320 mijë euro dhe në vlerë të kësaj shume kërkon nga të dëmtuarit që t’i japin një banesë prej 750 m² në fshatin Shirokë. Pas kësaj, nga frika të dëmtuarit pajtohen t’ia japin banesën e kërkuar, por për shkak se punëkryerësit nuk arrijnë ndërtimin me kohë, i dyshuari në muajin maj të vitit 2024 nga i dëmtuari kërkon rritjen e metrave të banesave dhe më pas arrin që të nënshkruajnë një parakontratë, të cilës i vendosin datën 20 mars 2023 për shitblerjen e banesave në sipërfaqe prej 1,180 m² në fshatin Shirokë, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerën e banesave në shumën prej 715 mijë euro.

Me këto veprime, i pandehuri Durim Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par. 3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal.

Gjithashtu, Durim Gashi dyshohet se nga 8 shkurti 2024 dhe në vazhdimësi, në Suharekë dhe në Prishtinë, me dashje ndërmerr veprime, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete. Ai thuhet se përdor forcë dhe kanosje serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarve M.K., dhe L.K., për t’i detyruar që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, duke e përdorur forcën dhe kanosjen me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës joproporcionale.

Më 8 shkurt 2024, Prokuroria thotë se i dyshuari takohet me të dëmtuarit në një pompë derivatesh në Prishtinë, të cilët i merr me veturë, ku të cilën veturë që po e drejtonte A.G., dhe niset në drejtim të Suharekës dhe aty fillon që ta kanosë të dëmtuarin M., të cilin për një moment e kapë për fyti duke iu drejtuar me fjalët “do të dërgoj në shtëpi dhe do të lidhë si qenin”. Më pas, ndërhyn i dëmtuari L., dhe përgjatë rrugës ata në mënyrë verbale arrijnë marrëveshje që t’i japin banesat në emër të kamatave e ku më pas i dyshuari sërish i kthen në vendin ku i kishte marrë.

Edhe pas kësaj date, thuhet se i dyshuari vazhdon që t’i kanosë të dëmtuarit derisa arrin që të nënshkruajnë kontratën për marrjen e banesave në sipërfaqe prej 1,180 m² në fshatin Shirokë, duke ia shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerën e banesave në shumën prej 715 mijë euro.

Me këto veprime, Durim Gashi dyshohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi” nga neni 328, par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal.

Dosja e Prokurorisë thotë se i dyshuari Kujtim Kabashi nga muaji korrik i vitit 2024 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale në të cilën ishte futur i dëmtuari M.K., kontrakton shuma dukshëm joproporcionale në këmbim të dhënies së borxhit.

Pasi që i dëmtuari ishte futur në borxhe dhe kamata të papërballueshme, thuhet se merr nga i pandehuri Kujtim Kabashi shumën e të hollave prej 1 mijë e 500 euro me kamatë javore prej 450 euro, me ç’rast, i dëmtuari arrin të paguajë për dy muaj rresht shumën prej 900 euro. Kurse, në pamundësi të pagesës me kohë, kamatat grumbullohen dhe arrijnë shumën prej 9 mijë e 600 euro, veprime këto me të cilat i pandehuri pretendon t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit në vlerë prej 9 mijë euro.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.1 të Kodit Penal.

Ai dyshohet po ashtu se në kundërshtim me ligin për armët posedoi dy armë të gjuetisë.

Në fund, Prokuroria vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimimt ndaj të dyshuarve.

Në seancën dëgjimore të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore të Prizren, prokurori Petrit Kryeziu bëri leximin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Ndërkaq, avokatët e të dyshuarve: Agim Kabashi, Natal Bullakaj, Ethem Rugova, Valdet Hoxha, Forti Skoro, Liridon Bullakaj, kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë, duke deklaruar se të dyshuarit me veprimet e tyre nuk kanë shkaktuar dëme pasurore të dëmtuarit, për t’i sjellë vetes përfitime personale pasurore.

Pas seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prizren caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj gjashtë të dyshuarve (secilit veç e veç).