Raporti i Progresit: Ka progres në konfiskimin e pasurisë, luftimin e krimit kibernetik dhe të trafikimit të qenieve njerëzore
Raporti i Progresit ka gjetur se Kosova ka pasur njëfarë progresi në luftimin e krimit të organizuar, duke përmendur progres në fushën e konfiskimit të pasurisë, luftimin e krimit kibernetik, trafikit të qenieve njerëzore dhe kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta. Megjithatë raporti rekomandon një strategji të re për krimin e organizuar. Sipas…
Lajme
Raporti i Progresit ka gjetur se Kosova ka pasur njëfarë progresi në luftimin e krimit të organizuar, duke përmendur progres në fushën e konfiskimit të pasurisë, luftimin e krimit kibernetik, trafikit të qenieve njerëzore dhe kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.
Megjithatë raporti rekomandon një strategji të re për krimin e organizuar.
Sipas Raportit, Kosova është në mes të një faze të hershme të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka bërë disa përparime.
Raporti vlerëson se bashkëpunimi me Europolin ka avancuar, me pjesëmarrjen e Kosovës në operacione të përbashkëta dhe dislokim të oficerëve ndërlidhës në Europol.
“Sipas rekomandimeve, Policia e Kosovës po drejton aktivitetet e saj sipas parimeve të policisë së udhëhequr nga intelegjenca dhe oficerë të caktuar zbatojnë qasjen e policimit në komunitet. Njëfarë progresi është arritur në fushën e konfiskimit të pasurisë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saj ekzektuive kanë miratuar planet e intergritetit. Ka pasur përparime në fushën e krimit kibernetik, luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta” – thuhet në raport.
Raporti thekson se rekomandimet nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.
E rekomandimet janë që Kosova të gjejë mënyra për të siguruar që përbërja e Policisë së Kosovës të pasqyrojë përbërjen etnike të Kosovës; të miratojë një strategji të re për krimin e organizuar; të përmirësojë më tutje hetimin dhe ndjeken penale të krimit të organizuar të profilit të lartë, përfshirë këtu pastrimin e parave; të forcojë më tej efikasitetin e regjimit penal të konfiskimit, duke krijuar një fond konfiskimi dhe duke rritur përdorimin e mjeteve të konfiskimit nga prokuroria dhe policia; si dhe të forcojë përpjeket për të parandaluar dhe luftuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore me emigrantë.