Konjufca takoi përfaqësuesit e Eurochambres dhe të OEK-ut

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Eurochambres, kryetarin Vladimír Dlouhý dhe shefin ekzekutiv, Ben Butters, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, kryetarin Lulzim Rafuna dhe drejtorin e departamentit për aftësim profesional, Besim Mustafa. Kuvendi i Kosovës njofton se në takim u diskutua rreth…

Lajme

23/10/2024 19:03

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Eurochambres, kryetarin Vladimír Dlouhý dhe shefin ekzekutiv, Ben Butters, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, kryetarin Lulzim Rafuna dhe drejtorin e departamentit për aftësim profesional, Besim Mustafa.

Kuvendi i Kosovës njofton se në takim u diskutua rreth rëndësisë së zhvillimit të aktiviteteve biznesore përbrenda një klime sa më të përshtatshme, duke konsideruar impaktin e madh që biznesi ka në progresin ekonomik, siç edhe në atë social.

Po ashtu, u bisedua edhe për nevojën e rritjes së bashkëpunimit midis këtij asociacioni të odave evropiane të tregtisë dhe industrisë, ku bën pjesë edhe Oda Ekonomike e Kosovës, me institucionet e vendit tonë, në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë iniciativa e investimeve dhe zhvillimi ekonomik.

Përfaqësuesit e Eurochambres shprehën gatishmërinë për të ofruar angazhimin e tyre, i cili kontribuon në rritjen e investimeve nga biznese të ndryshme evropiane në Republikën e Kosovës.

Kryetari Konjufca i falënderoi mysafirët për vizitën, duke u shprehur se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë e angazhuar në këtë drejtim dhe e bindur se rritja e bashkëpunimit është mënyra se si arrijmë synimet për zhvillim gjithnjë e më intensiv.