Kosova shënon Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz

Nën sloganin “Mos HESHT”, Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 Tetorin – Ditën e Bashkimit Evropian kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku këtë vit në fokus do të jetë ndërgjegjësimi, identifikimi dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, lëmosh-kërkuesve dhe fëmijëve që braktisin shkollën. Koordinatori nacional kundër trafikimit me njerëz, zëvendësministri i…

Lajme

18/10/2024 18:21

Nën sloganin “Mos HESHT”, Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 Tetorin – Ditën e Bashkimit Evropian kundër trafikimit me qenie njerëzore, ku këtë vit në fokus do të jetë ndërgjegjësimi, identifikimi dhe trajtimi i fëmijëve në situatë rruge, lëmosh-kërkuesve dhe fëmijëve që braktisin shkollën.

Koordinatori nacional kundër trafikimit me njerëz, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Blerim Gashani theksoi se trafikimi me njerëz paraqet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Trafikantët qenien njerëzore e shndërrojnë në mall dhe ndryshe trafikimi njihet edhe si skllavëri e shekullit 21. Dhe, nga kjo dukuri nuk ka shpëtuar pa u prekur edhe Kosova, marrë parasysh edhe tranzicionin që ka kaluar. Andaj, institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtim për të mbrojtur vlerat më elementare të të drejtave të njeriut dhe kanë marrë masat e nevojshme në përputhshmëri me konventat dhe direktivat ndërkombëtare”, tha Gashani.

Gashani vuri në pah se për luftimin me sukses të trafikimit me njerëz kërkohet bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional duke përfshirë edhe organizatat joqeveritare dhe organizatat apo institucionet tjera ndërkombëtare.

“Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë edhe më fuqishëm të kryejnë aktivitete dhe të marrin masa për çrrënjosjen e kësaj dukurie. Lufta kundër trafikimit me njerëz, veçanërisht shfrytëzimit të fëmijëve, kërkon një përpjekje të përbashkët nga të gjitha sektorët e shoqërisë,” tha ai.