OJQ-të ndezin alarmin për qendrat e migrantëve në Shqipëri

Pa i kaluar 24 orë në Shqipëri, katër nga 16 migrantët që u dërguan në qendrat e migrimit atje, u kthyen në Itali – dy sepse ishin të mitur, ndërsa dy të tjerë për shkak të problemeve shëndetësore. “E kemi të parashikuar me marrëveshje që këto raste të mos i pranojmë ne – i merr Italia”, tha…

Lajme

17/10/2024 16:03

Pa i kaluar 24 orë në Shqipëri, katër nga 16 migrantët që u dërguan në qendrat e migrimit atje, u kthyen në Itali – dy sepse ishin të mitur, ndërsa dy të tjerë për shkak të problemeve shëndetësore.

“E kemi të parashikuar me marrëveshje që këto raste të mos i pranojmë ne – i merr Italia”, tha për Radion Evropa e Lirë drejtori i Portit të Shëngjinit, Sander Marashi.

Që nga nëntori i vitit të kaluar – kur Italia bëri të ditur se procedurat e azilit për burrat nga shtete “të sigurta” do të transferoheshin në Shqipëri – grupet e të drejtave të njeriut bënë thirrje që kjo marrëveshje të rishqyrtohej.

Thirrjet e tilla dhe letrat e hapura, përplot kritika, vazhduan edhe pas mbërritjes së migrantëve të parë në Portin e Shëngjinit më 16 tetor.

Për strehimin e deri në 36 mijë migrantëve në vit, Italia ka paguar ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri – pranë Portit të Shëngjinit dhe në fshatin Gjadër të Lezhës.

Por, me gjithë deklarimet nga institucionet në Shqipëri dhe Itali, organizata joqeveritare (OJQ) dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se marrëveshja përbën shkelje të shumta të ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

Marrëveshja parasheh që në Shqipëri të dërgohen migrantët burra që vijnë nga shtete që Italia beson se kanë sisteme të qëndrueshme ligjore dhe politike, ku migrantët nuk vlerësohet se janë në rrezik përndjekjeje.

Në listën e këtyre shteteve përfshihen: Tunizia, Algjeria, Egjipti, Kameruni, etj.

Megjithatë, grupet e të drejtave të njeriut thonë se këto shtete nuk janë të sigurta për të gjithë banorët, për shkak të shkeljeve të shumta të dokumentuara të të drejtave të njeriut.

Kur migrantët të shpëtohen në Detin Mesdhe, në tentim për të hyrë në Itali, autoritetet nuk do të bëjnë vlerësim të mirëfilltë të situatës së tyre, paralajmëron Elisa de Pieri, hulumtuese në Amnesty International.

“Do të jetë një vlerësim shumë i përgjithshëm. Mendoj se, nga perspektiva e të drejtave të njeriut, kjo është pika më e dobët e të gjithë procedurës: pamundësia për ta vlerësuar me të vërtetë situatën e një personi që mund të jetë i cenueshëm, për arsye që s’janë të dukshme menjëherë”, thotë De Pieri për Radion Evropa e Lirë.

Orientimi seksual e gjinor dhe përkatësia etnike, fetare e politike mund të bëjnë që një person të jetë i përndjekur edhe në shtetet që Italia i cilëson të sigurta./REL/