Kurti pret në takim Sautter, diskutojnë për thellimin e marrëdhënieve bilaterale

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Günter Sautter, që në takim u shoqërua nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Kryeministri e falënderoi z. Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë…

Lajme

17/10/2024 15:56

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Drejtorin Politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Günter Sautter, që në takim u shoqërua nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Kryeministri e falënderoi z. Sautter për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën dhe mbështetjen diplomatike, ushtarake dhe ekonomike të Gjermanisë e cila ka qenë thelbësore për çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e zhvillimin e vendit tonë.

Në këtë takim u  bisedua për rezultatet e Procesit të Berlinit, përfshirë gjashtë takimet ministeriale, dhe vlerësuam si arritje të rëndësishme marrëveshjen e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Deklaratën për Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) 2025–2028.

Gjatë takimit u diskutua edhe për  për forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal, dialogun në Bruksel dhe integrimet euro-atlantike.

Kryeministri e uroi z. Sautter për pozitën e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i ofroi bashkëpunimin e plotë në avancimin e agjendës së përbashkët në mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë dhe lirive themelore.