Familja e Faton Hajrizit nesër dorëzon padinë ndaj Kurtit, Bislimit e Haxhiut, avokati Gjini: Padi për shpifje, ofendim e fyerje

Familja e Faton Hajrizit nesër do të dorëzojë padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me ofendimet siç ata i cilësojnë bërë nga krerët e shtetit në drejtim të anëtarit të familjes së tyre, tashmë të ndjerë. Padia konkretisht do të ngritët ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, dhe dy vartësve të tij, Besnik Bislimi…

Lajme

16/10/2024 16:11

Familja e Faton Hajrizit nesër do të dorëzojë padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me ofendimet siç ata i cilësojnë bërë nga krerët e shtetit në drejtim të anëtarit të familjes së tyre, tashmë të ndjerë.

Padia konkretisht do të ngritët ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, dhe dy vartësve të tij, Besnik Bislimi e Albulena Haxhiu.

Lajmin për lajmi.net e pohoi avokati i familjes së Hajrizit, Gent Gjini.

Ai tha se autorizimi i është dhënë nga vëllai i Fatonit, Artan Hajrizi.

“Vëllau ma ka dhënë autorizimin, Artani”, tha avokati Gjini.

Gjini shtoi se pas padisë do të prononcohet edhe vet Artani, e që do të tregoj çdo gjë detajisht rreth arsyeve të padisë.

“Nesër veç kemi me i procedu paditë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në pallatin e drejtësisë, Departamenti Civil. Lidhur me ofendimet, fyerjet e shpifjet të bëra nga zyrtarët e lartë publik. Ka me u prononcu edhe vëllai i tij, ai i tregon arsyet pse është bërë padia, pse i kemi procedu gjërat”, u shpreh ai për lajmi.net.

Avokati tutje tha se quhet padi për shpifje, ofendim e fyerje, dhe se i është dhënë epitet negativ tashmë të ndjerit Hajrizi.

“Quhet padi për shpifje, për ofendim, për fyerje, ku zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e bashkë me të edhe kryeministri Albin Kurti, deputeti Arbër Rexhaj e po ashtu ministrja Albulena Haxhiu kanë përdorur shprehje joetike dhe fyese, kanë dhënë epitete negative figurës të Faton Hajrizit, që e kanë prek edhe familjen e tij”, tha ai.

Gjini u shpreh se këtu Artani dhe familja e vet kanë qenë të ofenduar me epitetin e të quajturit kriminel.

“Ktu Artani dhe familja e vet kanë qenë të ofenduar me epitetin e të quajturit kriminel. Etimologjia kriminel nuk njihet, për neve kjo është bazë që na ka shti me bo padi dhe me kërku kompensim dhe përgjegjësi për realizim të kompensimit edhe material edhe moral. Që me u tërheq fjala i quajtur kriminel“, përfundoi avokati i familjes Hajrizi.

Faton Hajrizi ishte arratisur më 6 korrik nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dhe më 19 korrik të 2024-s ishte vrarë në Lloznicë, në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.

Trupi i tij është kthyer në Kosovë më 9 gusht, e dy ditë më vonë është varrosur në Klinë të Ulët të Skenderajt./Lajmi.net