Prodhimet e grave rurale të Kosovës në tregje të Evropës
Dymbëdhjetë vjet më parë, Nadire Hasani nuk e imagjinonte se do të bëhej një fermere e suksesshme. “Kam dalë në treg me vetëm dhjetë kilogramë ajvar e tre kavanozë me speca turshi”, kujton sot ajo. “Të gjithë qeshnin me mua që kisha sasi aq të vogël. Por, dalëngadalë kërkesat rriteshin e bashkë me to edhe…
Lajme
Dymbëdhjetë vjet më parë, Nadire Hasani nuk e imagjinonte se do të bëhej një fermere e suksesshme.
“Kam dalë në treg me vetëm dhjetë kilogramë ajvar e tre kavanozë me speca turshi”, kujton sot ajo.
“Të gjithë qeshnin me mua që kisha sasi aq të vogël. Por, dalëngadalë kërkesat rriteshin e bashkë me to edhe prodhimi im”, thotë fermerja nga fshati Frashër i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Sot, prodhimet e saj i shet jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.
Radio Evropa e Lirë e takoi atë më 15 tetor në një panair në Prishtinë, që u mbajt për nder të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale.
Gjatë rrëfimit, Nadirja tregon se situata e rëndë ekonomike dhe sociale – me burrin e papunë dhe tre fëmijët e vegjël – e kishte nxitur që një pjesë të prodhimeve bujqësore, që do t’i përdorte për nevojat familjare, t’i nxirrte në treg për shitje.
Fillimisht dilte në tregun e komunës së saj. Me rritjen e kërkesave, dilte kohë pas kohe edhe në Prishtinë.
“Prej katër vjetësh, ajvar e turshi eksportoj edhe në Zvicër, Gjermani dhe Francë”, thotë ajo.
“Kam kërkesa edhe për Suedi, por, për momentin, nuk mund t’i përmbush, sepse nuk kam prodhim”.
Nadirja tregon se nga një dhomë e vogël shtëpie, ku i qëronte e piqte specat, sot ka dy objekte në fshat, si lloj fabrikash, ku ka të punësuar dhjetë veta.
“Asnjëherë nuk e kam imagjinuar se do të bëhem një afariste e suksesshme. Qëllimi ishte, thjesht, t’i përmbushja nevojat e tre fëmijëve dhe bashkëshortit”, thotë Nadirja.
E sot, fëmijët e saj e ndihmojnë biznesin.
“Njëri djalë mban kontabilitetin, e tjetri i menaxhon punëtorët”, tregon ajo.
Në panairin në Prishtinë me temën “Gratë rurale janë çelësi për zero uri”, ekipi i REL-it takoi edhe Nafije Ajetin nga fshati Sveçël i Podujevës.
Me një rrëfim të ngjashëm si Nadirja, ajo tregon se punën si fermere e kishte nisur qysh në vitin 2002 – fillimisht për konsum familjar, e pastaj edhe për shitje në treg.
Sot ka biznesin e vet.
“Puna në bujqësi nuk është e lehtë, por është fitimprurëse – sa mund të kultivosh dhe përpunosh, mund edhe të shesësh”, thotë Nafija, e cila në banakun e saj kishte ekspozuar ajvar dhe perime turshi.