Mungon eksperti, shtyhet sërish gjykimi ndaj policit të akuzuar për vrasje në tentativë dhe tre të tjerëve për moslajmërim të veprave penale

Për shkak të mungesës së ekspertit të mjekësisë ligjore, Naim Uka, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku po akuzohen katër zyrtarë policorë të Njesisë Speciale. Në këtë rast, Korab Pepaj në cilësinë e zyrtarit policor të Njësisë Speciale akuzohet për vrasje në tentativë dhe manipulim…

Lajme

15/10/2024 12:33

Për shkak të mungesës së ekspertit të mjekësisë ligjore, Naim Uka, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku po akuzohen katër zyrtarë policorë të Njesisë Speciale.

Në këtë rast, Korab Pepaj në cilësinë e zyrtarit policor të Njësisë Speciale akuzohet për vrasje në tentativë dhe manipulim me prova, ndërsa Faton Maloku, Samet Uka dhe Muhamet Muqiqi po ashtu zyrtarë policorë të Njësisë Speciale, secili veç e veç akuzohen për “Moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mentor Hajraj tha se eksperti i mjekësisë ligjore përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se është pjesëmarrës në një konferencë dhe nuk mund të jetë i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore.

Gjykatësi Hajraj tha se tha se kjo seancë shtyhet dhe për këtë janë njoftuar me kohë të gjitha palët, përveç prokurores së rastit, Fetije Bajrami, e cila ishte prezente në sallë.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, ndërsa e radhës pritet të vazhdojë sipas orarit të planifikuar.

Kujtojmë se edhe seanca e 7 tetorit ishte shtyrë për shkak se nuk përfaqësoi askush nga Prokuroria, si dhe mungoi eksperti i Mjekësisë Ligjore.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 3 korrik 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Korab Pepajt, Faton Malokut, Samet Ukës dhe Muhamet Muqiqit.

Dispozitivi i parë i aktakuzës e ngarkon Korab Pepajn se në cilësinë e zyrtarit policor, më 10 prill 2023, në rrugën magjistrale Leposaviq-Mitrovicë në pikën e kontrollit të automjeteve në fshatin Lozishtë, saktësisht te “Ura e Bistricës”, ka tentuar ta privojë nga jeta personin tjetër, të dëmtuarin M.J., ashtu që i pandehuri, derisa ka qenë në detyrë zyrtare në pikën e kontrollit të automjeteve në vendin e lartcekur, i ka dhënë shenjë me bateri që të ndalet të dëmtuarit M., e i cili ishte duke drejtuar automjetin e tij nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës. Ai nuk është ndalur dhe ka vazhduar rrugën.

Atëherë, aktakuza thotë se i pandehuri Pepaj ka shtënë dy herë me armën zyrtare, ku e ka goditur automjetin nga prapa dhe me atë rast vozitësi i automjetit M., është goditur me një plumb në krahun e djathtë, ku i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore, plagë përshkuese nga arma e zjarrit në regjionin mbi klavikulën e djathtë, plagë shqyese ndrydhëse në regjionin e djathtë të pasëm të kokës, e që bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë, Pepaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Aktakuza thotë se në ditën, kohën dhe vendin si në pikën e parë të dispozitivit, i pandehuri Korab Pepaj ka hequr dhe fshehur provat, dhe atë dy gëzhojat e predhës së armës pas gjuajtjes me armë zyrtare, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389, par.1 të KPRK-së.

Kurse, dispozitivi i fundit i aktakuzës i ngarkon Faton Malokun, Samet Ukën dhe Muhamet Muqiqin se në cilësinë e zyrtarëve policorë të Njësisë Speciale, në kohën dhe vendin si më lartë, kanë qenë në detyrë zyrtare në pikën e kontrollit si më lartë, e të njëjtit kanë qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale “Vrasje në tentativë”, dhe nuk e kanë lajmëruar veprën penale dhe kryerësin e veprës penale tek eprorët e tyre.

Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.