​Hoti: Kurti ngriti alarmin që ushtria serbe është afër kufirit, vet bën fushatë në Gjermani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar njoftimin e autoriteteve vendore se gjatë vikendit ushtria serbe ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën. Ai deklaroi se kryeministri Albin Kurti ngriti alarmin, teksa vet bëri fushatë në Gjermani. Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen…

Lajme

14/10/2024 13:59

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar njoftimin e autoriteteve vendore se gjatë vikendit ushtria serbe ka lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën. Ai deklaroi se kryeministri Albin Kurti ngriti alarmin, teksa vet bëri fushatë në Gjermani.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për çështjen e furnizimit me ushqim për FSK-në, Hoti e ka quajtur absurditet situatën e tillë. Ai përmendi edhe Fondin e Sigurisë për mbledhjen e mjeteve për FSK-në, për çka tha se nuk ka informacione se sa mjete janë mbledhur.

“Në fillim të këtij mandati qeverisës me pompozitet është promovuar Fondi i Sigurisë për mbledhjen e mjeteve për pajisje ushtarake për Ushtrinë e Kosovës. Unë nuk jam i sigurt, as anëtarët e komisionit përkatës parlamentar që mbikëqyrin Forcën e Sigurisë që e dinë sa mjete janë mbledhur në këtë fond edhe sa prej tyre janë shpenzuar dhe sa është pajisur FSK me mjete bazuar në mjetet që janë mbledhur në këtë fond të sigurisë”, deklaroi ai.

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti tha se shefi i ekzekutivit ngriti alarmin në vikend për lëvizjen e trupave të ushtrisë serbe, ndërkohë që Albin Kurti ishte duke bërë fushatë në Gjermani.

“Gjatë vikendit ka pasur zhvillime tjera. Ne kemi pasur një informatë të dhënë nga institucionet e Kosovës edhe të promovuar edhe nga kryeministri i vendit për ushtrinë serbe që ka ardhur afër kufirit me Kosovën dhe kryeministri ngriti alarmin. Por, në të njëjtën kohë ai ishte pjesë e fushatës zgjedhore të tij në Gjermani. Tash imagjinoni, e ngrit alarmin për një vend fqinj me tendencë armiqësore ndaj Kosovës që po e afron ushtrinë afër kufirit të Kosovës, vet bën fushatë në Gjermani edhe ushtrinë e ka pa ushqim. Nuk ka më koment tjetër për situatën tragjik-komike që është krijuar në këto ditë në Kosovë”, deklaroi Hoti.