​Deputeti i PDK-së: Qeveria Kurti ka agjendë zhbërjen e shtetit të Kosovës

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë Kurti se ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Deputeti Hisen Berisha në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit për mungesën e ushqimit të ushtarëve në FSK, tha se ekzekutivi përmes Ministrisë së Mbrojtjes kanë qëllim sabotimin e FSK-së si institucionin kyç për sigurinë dhe stabilitetin…

Lajme

14/10/2024 13:04

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar qeverinë Kurti se ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Deputeti Hisen Berisha në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit për mungesën e ushqimit të ushtarëve në FSK, tha se ekzekutivi përmes Ministrisë së Mbrojtjes kanë qëllim sabotimin e FSK-së si institucionin kyç për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Duke folur në emër të PDK-së, deputeti Berisha tha se ushtarët e FSK-së, janë denigruar nën qeverinë e Kurtit.

Ai e implikoi në këtë situatë edhe komandanten supreme të FSK-së, presidenten Vjosa Osmani.

“Komandanti i FSK-së paralajmëroi suspendimin e të gjitha aktiviteteve ushtarake në forcë, diçka që duhet shqyrtuar në hierarki deri te komandanti suprem, i cili fatkeqësisht është pjesë e këtij komploti kundër Forcës. Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së është një sinjal i qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate. Tani e kanë kuptuar se ashtu siç ishte ashtu siç nuk ishte i aplikueshëm koncepti i shërbimit të detyrueshëm ushtarak edhe ideja e ngritjes së kapaciteteve të vetqëndrueshmërisë për ushqim është një ide që do të konprementojë FSK-në”, deklaroi Berisha.

Ai përmendi edhe keqmenaxhimet, të cilat siç tha po bëjnë që ushtari i FSK-së të vendos të largohet nga ushtria.

“E vërteta është se asnjë ushtarë se ka lënë uniformën për shkak të ushqimit apo bashkimit familjarë, trillime që janë thënë në media. Janë një mori shkaqesh demotivuese tjera, siç pagat dhe kushtet jodinjitoze, manipulimet me gradime jomeritore, trajnimet jashtë vendit po ashtu me manipulime, pastaj puna jashtë orarit, moskompensimi, mungesa e transportit dhe të tjera…Kjo qeveri ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës, duke stërkequr edhe procesin politik dhe funksionalitetin institucional të saj deri te segmenti i fundit që janë Forcat e Armatosura të Kosovës”, theksoi Berisha.