Kontrata për furnizim me qymyr, Berisha kërkon hetime nga Prokuroria e Shtetit

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit nisjen e hetimeve ndaj Qeverisë Kurti për shkak, siç thuhet, dëmeve që po i bëhen ekonomisë dhe sigurisë sidomos në raport me SHBA, teksa si shembull konkret përmend kontratën për furnizimin me qymyr me kompani të lidhura me autorin e sulmit terrorist në Banjska,…

Lajme

12/10/2024 21:17

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit nisjen e hetimeve ndaj Qeverisë Kurti për shkak, siç thuhet, dëmeve që po i bëhen ekonomisë dhe sigurisë sidomos në raport me SHBA, teksa si shembull konkret përmend kontratën për furnizimin me qymyr me kompani të lidhura me autorin e sulmit terrorist në Banjska, Milan Radojçiq.

Berisha në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria e kishte dhënë këtë kontratë për vetëm 20 euro, ndërkohë që çmimi i tregut ishte 50 euro për ton.

“Më shqetësuese është fakti që kontrata është përpiluar në gjuhën serbe dhe është lidhur në periudhën kur zyrtarë të qeverisë, përfshirë Mimoza, po komunikonin dhe bashkëpunonin me Radojçiq. Pas reagimit të inxhinierëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, kjo kontratë u anulua, por çështja është mbyllur në fshehtësi dhe pa u bërë publike”, ka shkruar Berisha.

Berisha kërkon nga prokuroria të hetojë këtë kontratë dhe rrethanat që kanë çuar në lidhjen e saj me një çmim shumë më të ulët se çmimi i tregut.

Ai gjithashtu kërkon që prokuroria të shqyrtojë komunikimet ndërmjet zyrtarëve të qeverisë dhe personave të përfshirë në këtë kontratë, për të parë nëse ka pasur ndërhyrje apo lidhje të paligjshme, publikimin e të gjitha informacioneve dhe hetimeve lidhur me rastin dhe të veprojë me urgjencë për të parandaluar dëme të mëtejshme në ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Duke marrë parasysh veprimet e Qeverisë së Kosovës që përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe stabilitetit ekonomik të vendit, kërkoj që Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime urgjente për hetimin e këtyre çështjeve. Konkretisht, dua të theksoj dëmin që po kryen kundër ekonomisë dhe sigurisë së vendit, me sabotimin që kjo qeveri po kryen kundër Fondit Amerikan dhe veprimet e saj që po largojnë Kosovën nga partnerët strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktet antiamerikane të kësaj qeverie janë të papranueshme dhe përbëjnë një rrezik për të ardhmen e Kosovës. Koha për veprim është tani! Ne nuk mund të lejojmë që interesat kombëtare të shkelen në mënyrë kaq flagrante dhe që qeveria të kryejë veprime që rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar Berisha.

Ai ka bashkëngjitur në kërkesë “dokumente, kontrata dhe materiale të tjera relevante që tregojnë përfshirjen e kompanive dhe individëve të përfshirë në këtë skandal”, duke thënë se “dosja kryesore i dorëzohet prokurorisë.”