Vazhdon bastisja tek ministria e Infrastrukturës, dyshohet se rasti lidhet me ambalazhuesit e ujit

Zyrtarë të shumtë policorë nga Krimet Ekonomike janë duke vazhduar aksionin e bastisjes në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit dhe Infrastrukturës. Bastisja është duke u kryer në objektin e ministrisë që gjendet tek ish-objekti i Rilindjes , ku me zyrë është edhe vetë ministri Liburn Aliu. Sipas raportimeve të para kjo bastisje ka të…

Lajme

08/10/2024 10:15

Zyrtarë të shumtë policorë nga Krimet Ekonomike janë duke vazhduar aksionin e bastisjes në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit dhe Infrastrukturës.

Bastisja është duke u kryer në objektin e ministrisë që gjendet tek ish-objekti i Rilindjes , ku me zyrë është edhe vetë ministri Liburn Aliu.

Sipas raportimeve të para kjo bastisje ka të bëjë me raportimin për ambalazhuesit e ujit.

Saktësisht këto hetime po lidhen me Departamentin për Pellgje Ujore, që drejtohet nga Naser Hafizi, e që ishte përmendur në kuadër të raportimeve për ambalazhuesit e ujit.

Siç kishte raportuar AlbanianPost, ministria kishte shlyer borxhe për firma të ndryshme në mënyrë të dyshimtë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm mbi 10 milionë euro.

Në lidhje me këtë ishte deklaruar edhe ministri Aliu, i cili ka mohuar akuzat.

“Në lidhje me borxhin e kompanive që ambalazhojnë, unë vetëm dua të them kështu: Nuk ka asnjë vendim për falje të asnjë borxhi, qysh njëjtë nuk ka asnjë vendim i cili e përcakton borxhin milionësh çfarë pretendohet. Çka ka, ka pagesa të rregullta, normale qysh kanë qenë në cilëndo prej qeverive sipas raportimeve të kompanive për sasinë e ujit të shitur që e kanë pas. Për kompani të cilat nuk kanë raportu dhe supozohet se kanë borxhe, në cilëndo prej qeverive më herët ka pasur një lloj kalkulimi të një borxhi të supozuar në bazë të udhëzimit administrativ që thotë me marr sasinë maksimale të ujit që shfrytëzohet. Kjo është në shpërputhje me vetë këtë udhëzim administrativ ku thotë këtu shumë qartë, thotë: Të gjithë ambalazhuesit të ujit mineral apo të pijshëm paguajnë 0.009 euro për litër të shitur, pra thuhet për litër të shitur. Sasia e shitur që shesin kompanitë nuk mund të përcaktohet as me ujëmatës, as nuk mund të përcaktohet nga sasia maksimale që ata e marrin ujin. Pra se sa ata shesin duhet me përcaktu në mënyra tjera ose me raportim të tyre”, ka deklaruar Aliu në Kuvend. Ai e quajti “nonsens” këtë përllogaritje, që tha se ka ndodhur edhe në qeveritë e kaluara. Për kompanitë që tashmë kanë paguar borxhet, ai tha se llogaritja është bërë në bazë të raportimit të tyre.

“Krejt mund të supozohet është që një kompani ka mujt maksimalisht me prodhu kaq dhe po e supozojmë që atë sasi që e paska prodhu e paska shit, atëherë mundemi me thanë që kaq maksimalisht ke mujt me shit, rrjedhimisht në bazë të kësaj analize maksimale mundet me qenë borxhi yt maksimal kaq, por kjo nuk mundet me përfundu në vendim me thanë filan kompania i paska shit kaq miliona e miliarda litra ujë. Nëse themi 90 milionë euro borxh edhe konsiderojmë që qenka borxh taman, kjo i bjen me pretend që qenkan me dhjetëra miliarda ujë të shitur në vendin tonë. Kjo është një nonsens, që ka qenë nonsense në cilëndo qeveri dhe këtë nonsense e dinë të gjithë. Nëse ka pas kompani të përgjegjshme qysh po pretendohet tash prej disave, qato të njëjtat kompani të përgjegjshme që i kanë pagu borxhet e veta është llogaritë në bazë të raportimeve që i kanë ba”, pati thënë ai.

Lajmi.net është në pritje të përgjigjesh zyrtare nga Prokuroria dhe Policia për këtë aksion, por që ende s’ka pasur asnjë deklarim./Lajmi.net/