Kollçaku: Fushata asnjëherë nuk ka përfunduar, dyert e hapura për VV

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se fushata asnjëherë nuk ka përfunduar dhe se dyert janë të hapura për ata që duan t’i bashkëngjiten kësaj partie. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kollçaku potencoi se demokracia u mundëson deputetëve të votojnë sipas bindjeve të tyre, porse nuk pritet nga ta që mos…

Lajme

05/10/2024 16:26

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se fushata asnjëherë nuk ka përfunduar dhe se dyert janë të hapura për ata që duan t’i bashkëngjiten kësaj partie.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kollçaku potencoi se demokracia u mundëson deputetëve të votojnë sipas bindjeve të tyre, porse nuk pritet nga ta që mos të marrin pjesë në votim duke bllokuar çështje të ndryshme.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka njerëz për të humbur, përkundrazi dyert e Lëvizjes janë aq të hapura për të gjithë ata që duan t’i bashkëngjiten lëvizjes, që ia duan të mirën këtij vendi. Ne fillimisht na ka bashkuar aktivizimi qytetarë, programi i LVV-së dhe program qeveritar. Në demokraci eksiton parimi i shumicës. Pra, shumica vendos, jo vetëm në kuvend ku ne jemi shumicë dhe fatmirësisht vendosim për të mirën e këtij vendi, ashtu vendimmarrja është edhe në grup parlamentar”, tha Kollçaku.

Kollçaku tha se për të Kuvendi i Kosovës është pika kryesore deri në zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

“Ka pasur shumë mundësi dhe gjithnjë do të ketë për deputetë dhe deputete të cilët megjithatë për disa bindje të thella, për disa çështje që ndoshta nuk pajtohen që kur një çështje nuk pajtohen që kur një çështje votohet në kuvend megjithatë të votojnë për, kundër apo të abstenojnë. Kjo është demokracia, ky është vendimi i shumicës. Ajo çfarë nuk pritet është mospjesëmarrja në votim, bllokimi i çështjeve… Fushata asnjëherë nuk ka përfunduar. Për mua personalisht Kuvendi është pika kryesore deri në ditën e shpërbërjes, deri në zgjedhjet e reja”, potencoi Kollçaku.