Bytyqi: Sa kam qenë ministër librat janë shpërndarë me kohë, s’ka pasur ide për subvencionimin e tyre

Ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore. Me këtë rast nga anëtarët e komisionit Bytyqi u pyet nëse janë dërguar më shumë tekste shkollore sesa kanë qenë të nevojshme nëpër shkolla gjatë kohës sa ai ishte ministër i Arsimit. Për…

Lajme

04/10/2024 17:08

Ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore.

Me këtë rast nga anëtarët e komisionit Bytyqi u pyet nëse janë dërguar më shumë tekste shkollore sesa kanë qenë të nevojshme nëpër shkolla gjatë kohës sa ai ishte ministër i Arsimit. Për këtë, Bytyqi tha se ka pasur gabime teknike në shpërndarjen e librave, porse nuk janë dërguar libra pa kalkulime paraprake.

Në pyetjen e parashtruar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ish-ministri Bytyqi pohoi se në kohën kur mbante pozitën e ministrit të Arsimit, kanë qenë dy shtëpi botuese për të cilat janë negociuar çmimet për blerjen e librave. Sipas tij, vetëm dy shtëpi botuese kishin librat e certifikuara.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit Hetimor Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu pyeti Bytyqi nëse janë siguruar librat me kohë për nxënësit në atë kohë dhe nëse ka pasur ide që prindërit të subvencionohen me mjete për t’i bërë vetë tekstet shkollore.

Lidhur me këtë, Bytyqi tha se nuk ka pasur ndonjë vonesë të thekuar më furnizim me libra dhe se në atë kohë nuk është konsideruar se ka arsye që të mendohet një alternativë tjetër përveç shpërndarjes së librave.

Ndër të tjera, ish-ministri Bytyqi u pyet nëse ka pasur probleme në shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit e komunitetit jo shumicë, për çka u tha se ka pasur një vonesë që është përmbyllur brenda muajit shtator.