Murati e akuzon opozitën për “huqjen e radhës“: 8,021 ndërmarrje të reja gjatë vitit 2024, këto janë faktet

Kordinatori i Departamentit të Financave në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, para pak orësh përmes një postimi është shprehur se brenda një viti në Kosovë janë mbyllur rreth 13 mijë biznese. Jo shumë kohë më pas, ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se për 8 muaj në Kosovë…

Lajme

03/10/2024 21:02

Kordinatori i Departamentit të Financave në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, para pak orësh përmes një postimi është shprehur se brenda një viti në Kosovë janë mbyllur rreth 13 mijë biznese.

Jo shumë kohë më pas, ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se për 8 muaj në Kosovë janë regjistruar 8,021 ndërmarrje të reja.

Ai përmes një statusi në llogarinë Facebook, të cilin e ka shoqëruar me një grafikon është shprehur se trendi i vitit 2023 ka vazhduar dhe në 2024, duke thënë se po i referohet statistikave të ASK-së.

“Sipas ASK-së, gjatë vitit 2023 janë shtuar 9,807 ndërmarrje të reja neto, pra 11,409 ndërmarrje të regjistruara të reja dhe 1,602 ndërmarrje të shuara. I njëjti trend ka vazhduar edhe në vitin 2024, ku për 8 muajt e parë kemi 8,021 ndërmarrje të reja të regjistruara, apo mesatarisht 1 mijë regjistrime të reja në muaj. Kjo na bën të besojmë që deri në fund të vitit do të kemi rreth 12 mijë ndërmarrje të reja të regjistruara”, ka thënë ai.

Ai në fund të postimit, e ka quajtur këtë si “huqjen e radhës të opozitës”.

“Ndërsa opozita në anën tjetër bën huqjen e radhës duke pretenduar se në vitin 2023 ka pasur rënie të numrit të bizneseve”, ka thënë Murati.

Megjithatë, opozita vazhdimisht e kritikon Qeverinë për manipulim me shifra, duke i keqpërdorur ato për qëllime propagandistike./Lajmi.net