Murati e Bajrami nuk i ndalin reagimet për njëri-tjetrin, ai e quan “redaktore të portaleve” ndërsa ajo e thirr në debat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami në vazhdimësi po reagojnë kundër njëri tjetrit. Ministri Murati dje ka njoftuar se për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro e ndaj këtij njoftimi ka reaguar deputetja Bajrami. “Për 4…

Lajme

30/09/2024 20:12

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami në vazhdimësi po reagojnë kundër njëri tjetrit.

Ministri Murati dje ka njoftuar se për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro e ndaj këtij njoftimi ka reaguar deputetja Bajrami.

“Për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, që krahasuar me 4 vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara është për 3-fish më e lartë. Ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët. E kjo është gjë e mirë sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit”, ka shkruar Murati. 

Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se këto depozita nuk do të thonë rritje e ekonomive familjare pasi që sipas saj bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës mbitërheqjet në banka janë rritë nga 1 miliardë e 682 milionë euro sa ishin për vitin 2020, shkruan lajmi.net.

Bajrami ka konsideruar se për shkak të çmimeve të larta një shoqëri është e zhytur në borxhe.

“E vërteta qëndon krejt ndryshe, rritja e çmimeve dhe mungesa e çfarëdo mase nga e qeverisë e ka shtyer një popull të tërë të zhyten në borxhe dhe po një pjesë e qytetarëve që kanë gjendjen finanaciare pak më të mirë po i ruajnë paratë e tyre në banka, sepse po kursejnë, janë të kufizuar në shpenzime, s’po investojë ngase ka mungesë të sigurisë ekonomike dhe jo vetëm”, ka shkruar Bajrami.

Pas kësaj deklarate të Bajramit, ka reaguar përsëri ministri Murati i cili po e shfrytëzon Facebook-un për reagime të tilla ndaj opozitës.

Ai e ka quajtur deputetën Bajrami “redaktore të portaleve” derisa kërkon nga një ekonomist i LDK-së që t’i tregoj se ku ka gabuar me këtë grafikon.

“A ka mbetë najkush në LDK që merr vesh në ekonomi e financa me i tregu redaktores së portaleve se ku ka gabu me këtë grafikon, apo të gjithë ekonomistët e LDK-së janë kaq të kufizuar në njohuritë e tyre për temën? Komplet kreditë në sektorin bankar aktualisht janë 5.4 miliardë euro. Por sipas Hykmetes, vetëm mbitërheqjet e qytetarëve na qenkan 5.3 miliardë. Këso huqje vetëm ekonomistët e LDK-së mund të bëjnë. Përndryshe, sipas raportit të fundit të BQK-së, shifra e saktë e huamarrjes me maturitet deri në 1 vit për ekonomitë familjare është 57 milionë euro”, ka shkruar ministri Murati, shkruan lajmi.net. 

E pas kësaj deputetja Bajrami e ka ftuar ministrin në një debat publik në lidhje me këtë temë.

“Hekuran, Eja në studio flasim për huqjet e mia e tuat. Këto të dhëna janë janë të BQK-së, janë qarkullim që qytetarët i bëjnë me overdraft. Shihe ku i ke shifrat për muajin dhjetor prej 2018 deri në 2023. E dita që ke me reagu, në emër të lirisë së fjalës. Të pres në studio!”, ka shkruar Bajrami. 
Debati dhe reagimet mes ministrit Murati dhe deputetes Bajrami si duket nuk do të përfundojnë me kaq.  /Lajmi.net/