Lajçak: I çmoj rekomandimet e Osmanit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit

Emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes Vjosa Osmani, për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes vete. Ai tha se u takua me presidenten Osmani në Nju Jork për të diskutuar për gjendjen e tanishme në…

Lajme

28/09/2024 18:53

Emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, deklaroi se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes Vjosa Osmani, për mënyrën se si Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes vete.

Ai tha se u takua me presidenten Osmani në Nju Jork për të diskutuar për gjendjen e tanishme në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak, megjithatë, nuk shpjegoi se cilat ishin mendimet apo rekomandimet e Osmanit për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja.

Si Osmani ashtu edhe Lajçak qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Emisari evropian u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, ku së bashku me të dhe ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien diskutuan për dialogun.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj aneksin për zbatimin e saj në Ohër në fillim të vitit 2023. Ajo ka mbetur e pazbatuar prej atëherë, megjithatë, edhe pse Bashkimi Evropian thotë se marrëveshja është detyrim për të dyja palët.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme pavarësisht nënshkrimit, ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Marrëveshja e përbërë prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetë menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje reciproke të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së qe nga 2011.

Ky proces mbështetet fuqishëm edhe nga SHBA, e cila ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

Raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq u mbajt në shtator të vitit 2023, derisa kryenegociatorët më 17 shtator nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve mbi temat e diskutimit. /REL