Një vit nga sulmi terrorist në Banjskë, nesër seanca e parë gjyqësore ndaj të dyshuarve

Sot janë bërë saktësisht një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit. Pas përfundimit të luftës, ky ishte sulmi më i rëndë i ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Të armatosur e të maskuar diku rreth 45 serbë ishin vënë në shënjestër të veriut të Kosovës. Synimi i tyre për të aneksuar veriun iu…

Lajme

24/09/2024 09:57

Sot janë bërë saktësisht një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Pas përfundimit të luftës, ky ishte sulmi më i rëndë i ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

Të armatosur e të maskuar diku rreth 45 serbë ishin vënë në shënjestër të veriut të Kosovës.

Synimi i tyre për të aneksuar veriun iu doli me humbje.

Pak pas mesnatës së 24 shtatorit, Policia e Kosovës nisi forcën e parë të reagimit drejt urës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Kjo rezultoi më pas me vrasjen e plagosjen e disa policëve.

Të njëjtit u kthyen jo ashtu siç kishin paramenduar, por u kthyen si humbës por të cilët shkaktuan dëme të mëdha e i morën jetën zyrtarit policor, tashmë heroit të Kosovës Afrim Bunjakut.

Afrim Bunjaku ishte përballur me serbët si një hero i vërtet i paqes në Kosovë, duke ruajtur çdo pëllëmbë toke të vendit tonë, transmeton lajmi.net.

E pikërisht kur bëhen një vit nga ky rast, nesër në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të nis seanca gjyqësore ndaj serbëve të dyshuar për këtë sulm terrorist.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Ajo tha për lajmi.net se gjyqtar i kësaj çështje është caktuar të jetë Arben Hoti. Seanca në fjalë pritet të nis nesër në ora 09:30.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca fillestare në këtë çështje penale është caktuar të mbahet me datë 25 shtator 2024, në ora 09:30.Gjyqtar i çështjes është Arben Hoti, gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

Ndryshe kanë kaluar pak ditë që nga momenti kur Prokuroria Speciale e Kosovës ngrit aktakuzë në drejtim të 45 serbëve të dyshuar për këtë sulm.

Ky sulm terrorist theksohet të jetë drejtuar nga kryekrimineli serb, Milan Radojiciq.

Radojiciq i cili ishte pjesë e politikës serbe në Kosovë, bashkë me Listën Serbe po vazhdon të jetë i lirë e padyshim duke u mbajtur i “sigurtë” në Serbi.

Lidhjet e tij me Serbinë zyrtare ia kanë mundësuar që pavarësisht veprës të cilën e kreu, të jetë i lirë.

Atij tashmë i është konfiskuar e sekuestruar thuajse e gjithë pasuria që kishte në Kosovë. Aty përfshihen villa, vetura, biznese e shumëçka tjetër, që kapnin shifrat e 3 milionë eurove.

Ndryshe pas ngjarjes së rëndë të 24 shtatorit të vitit të kaluar, 25 shtatori ishte shpallur zyrtarisht ditë zie.

Automjete të blinduara, makina si të KFOR-it gjerman, granat-hedhës, radio-marrës, harta e artileri të rëndë, por edhe simbole nacionaliste të përdorura nga serbët.

Policia një ditë pas përfundimit të operacionit ekspozoi çfarë gjeti në Banjskë.

“Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë”, ka deklaruar Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme.

“Personat të tjerë të dyshuar që në bazë të pamjeve të siguruara mund të ishin rreth tridhjetë persona kanë arritur të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës duke lënë prapa automjetet e tyre që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete dhe një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota. Në brendi të automjeteve gjendej një sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm, raketa hedhës si dhe dhjetëra uniforma, të cilat dyshohet që personat e armatosur i kishin zhveshur me qëllim që të infiltrohen më lehtë në mesin e civilëve”, deklaroi Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës.

Institucionet vendore kanë kërkuar disa herë nga aleatët ndërkombëtarë që t’i bëjë presion Serbisë për të dorëzuar kriminelët e Banjskës. Dy herë radhazi përmes Ministrisë së Drejtësisë, institucionet i janë drejtuar Serbisë me kërkesën për ofrim të provave. Serbia ka refuzuar, madje ka kërkuar që autoritetet vendore të dorëzojnë provat që ka Kosova për sulmin në Banjskë./Lajmi.net/