Shtyhet seanca për rastin e Lulzim Fejzullahut, avokati Gashi kritikon Gjykatën e Apelit për mungesë serioziteti

Seanca gjyqësore për vrasjen e Lulzim Fejzullahut nga Podujeva, e cila ishte planifikuar të mbahej sot, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të miturve të përfshirë në rast. Avokati në fjalë ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore, gjë që bëri të pamundur vazhdimin e procesit për këtë çështje. Kështu ka…

Lajme

18/09/2024 15:58

Seanca gjyqësore për vrasjen e Lulzim Fejzullahut nga Podujeva, e cila ishte planifikuar të mbahej sot, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të miturve të përfshirë në rast.

Avokati në fjalë ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore, gjë që bëri të pamundur vazhdimin e procesit për këtë çështje.

Kështu ka bërë të ditur avokati i familjes Fezjullahu, Tomë Gashi.

Gashi ka thënë se familjarët e të ndjerit, njoftimin për shtyre të seancës e kanë kuptuar vetëm pasi ka ardhur në seancën që ishte paraparë të fillonte sot në orën 10:30.

Gashi ka theksuar se Gjykata e Apelit duhet të tregojë më shumë seriozitet në trajtimin e çështjeve të tilla.

“Gjykata e Apelit, nëse merr njoftime zyrtare, qoftë në formë të emaileve apo nga avokatët apo palët e tjera në procedurë, duhet të njoftojë palët e mbetura që të mos paraqiten në seancë”, ka deklaruar ai.

Avokati bëri të ditur se seanca e radhë pritet të mbahet më 25 shtator në orën 11:00. /Telegrafi