VV publikoi shifrat ku thuhej se papunësia është veç 4%”, por njohësit e fushës thonë se Kosova në fakt ka mbetur pa punëtorë

“Barometri Ballkanik 2024: Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë. Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%”. Kështu thotë një postim i ndarë në llogarinë zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në…

Lajme

20/09/2024 15:31

“Barometri Ballkanik 2024: Kosova me nivelin më të ulët të papunësisë. Mesatarja rajonale e papunësisë është 11%. Niveli më i ulët i papunësisë rezulton në Kosovë 4%, në Serbi me 7%, Malin e Zi 9%, Maqedoninë e Veriut 13% dhe Bosnjë, 11%”.

Kështu thotë një postim i ndarë në llogarinë zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook.

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, thuajse në përfundim të mandatit ka ndarë një postim të Barometrit Ballkanik sipas të cilit Kosova është vendi me nivelin më të ulët të papunësisë në rajon për vitin 2024.

Në një matje në të cilën janë përfshirë, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bosnja, vendi ynë llogaritet me një nivel papunësie që nëse e kthejmë në përqindje nuk rezulton më shumë se 4%.

Gjithmonë duke u mbështetur në rezultatin e lartpërmendur, mesatarja rajonale e papunësisë prek vlerën 17%, e prapa vetes Kosova lë Serbinë me 7%, Malin e Zi me 9%, Maqedoninë e Veriut me 13% e Bosnjën me 11%.

Padyshim se kjo duket e çuditshme, si për qytetarët, ashtu edhe për njohësit e gjendjes ekonomike e zhvillimore në Kosovë. Duke pas parasysh se shumë prej qytetarëve janë të papunë, e pakushte bazë këto shifra ngjasojnë me diçka të çrregullt.

Por si e shohin një rezultat të tillë njohës të ekonomisë në vend?

Që niveli i papunësisë në Kosovës ka rënë, pajtohet edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Azemi thotë se një rezultat i tillë është shumë normal, duke e arsyetuar atë sipas këndvështrimit të tij.

“Është shumë normale që numri i papunësisë ka rënë, e krejt kjo si meritë e ikjes së punëtorëve e si rezultat i liberalizimit të vizave. Është shumë normale që numri i personave që kërkojnë punë është shumë i vogël në raport me 5-6 muaj më parë”, u shpreh ai.

Madje, sipas Azemit, papunësia në Kosovë do të bie ende, deri në nivelin zero, pohon ai për lajmi.net.

“Unë mendoj që ka me qenë edhe zero papunësia. Tregun e punës në Kosovë janë duke e gëlltitur vendet e rajonit. Tani më nuk e kemi problemin e papunësisë, tanimë përballemi me problemin e mungesës së punëtorëve. Konkretisht, punëtorëve që janë të kualifikuar“, shtoi tutje kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat.

Ai thotë që është e vërtetë që ka ulje të papunësisë, por jo pse Kosova ka ofruar zgjidhje në këtë aspekt.

“Është e vërtetë që ka rënë numri i papunësisë, por jo sepse ne kemi gjetur zgjidhje, jo pse kemi hapur vende të reja të punës. Përkundrazi, dilni në qendër të Prishtinës dhe shihni dhjetëra lokale që janë mbyllur po themi për shkak të mos menaxhimit të mirë të gjendjes. Në qendër të Prishtinës mund të shihni lokale të mbyllura që kanë funksionuar me 50 vite thuajse. Kjo është shqetësim“, u shpreh kështu Azemi.

Azemi thotë që jashtë vendit punëtorët nga Kosova po gjejnë stabilitet, e sipas tij, gjendje më e mirë nuk premtohet as në vazhdimësi.

“Kulminacioni i ikjes ka ardhur pas liberalizimit të vizave sepse tani iu ka dhënë mundësia këtyre njerëzve që të dalin dhe të realizojnë atë që ata e kërkojnë. Do të thotë, mos-krijimi i kushteve të mira të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës ka çuar në mungesë të punëtorëve. Nuk është se ne kemi krijuar vende të reja të punës, është mungesë e punëtorit, ikja e tyre, gjetja e kushteve më të mira jashtë sepse punëtorët natyrisht që nuk punojnë me 400-500 euro rrogë. Atje kanë një stabilitet ekonomik dhe kanë një stabilitet familjar. Pra, jemi shumë mirë si do të vijnë vitet e ardhshme”, përfundoi ai.

E rreth çështjes në fjalë, rezultatet nuk janë bindëse edhe për deputetin opozitar nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e njëkohësisht, kryetarin e komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala.

Shala në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se rezultatet e tilla janë jo reale e jo të matshme, e madje pas tyre fshihet fushatë paraelektorale.

“Informacionet parimisht janë jo reale, jo të vërteta, jo të matshme dhe jo të sinqerta. Krejt këto shifra që tanimë i publikojnë institucionet e shtetit janë pjesë e fushatës paraelektorale, manipulim me numra dhe shifra sepse gjendja e vërtetë është krejt tjetër”, tha ai.

Sipas Shalës, ka një dallim të madh mes asaj se çka thonë institucionet kredibile botërore dhe asaj se çka e ka thënë Qeveria.

“Të krahasohet Kosova, përderisa institucionet kredibile botërore e rangojnë si vendin më të varfër në rajon, e në anën tjetër, Qeveria e Kosovës të del me qëndrime që e kemi papunësinë më të vogël në rajon, parimisht është krejt e palogjikshme. Inflacioni i lartë dhe problemet e tjera të sektorit të ekonomisë kanë bërë që shkalla e papunësisë është shumë e madhe, kurse krahas kësaj edhe faktin që nuk kemi pasur asnjë lloj reforme fiskale, apo nuk kemi pasur investime që do të mund ta zbusnin shkallën e papunësisë”, shtoi tutje ai.

Ai tregon se shtesë kësaj vjen sipas tij edhe fakti që në Kosovë ka deficit ekonomik.

“Kemi një deficit tregtar si kurrë më parë në njëzet vitet e fundit. Ajo çka i ka ndihmuar këtij manipulimi qeveritar është shpërngulja e të rinjve, të papunëve, në drejtim të shteteve perëndimore. Qeveria tashmë i ka shifrat reale sepse menaxhon me Agjensionin e Statstikave të Kosovës (ASK). Mirëpo prapë, mos të harrojmë që filluar fushata politike e paskrupullt e kësaj qeverie, duke manipuluar skajshmërish me shifra e të dhëna”, ka përfunduar kështu Shala.

“Mashtrim i pastër” e quan rezultatin në fjalë edhe anëtari tjetër i komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Pal Lekaj.

“Rezultatet e publikuara nga VV mbi nivelin e papunësisë ku e nxjerrë vendin tonë me vetëm 4% është mashtrim i pastër ndaj qytetarëve të vendit. Qeveria Kurti meqë nuk mund ti plotësojë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve në lidhje me shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, rrogën minimale, rritjen e koeficientit, po mundohet që ti përmbushë shpirtërisht me përralla e ëndrra se si duhej të ishte realiteti“, tha deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një përgjigje me shkrim për lajmi.net.

Lekaj tutje tha se sipas kësaj logjike, i bie të jetë Kosova më mirë në këtë aspekt se sa vendet më të zhvilluara të BE-së.

“Niveli 4% i papunësisë nuk është real, sepse edhe shtetet më të forta si Franca, Italia, Spanja, Finlanda, Suedia e kanë me 7,8,10,11% nivelin e papunësisë e lëre më Kosova. Me këtë logjikë dhe matje të Qeverisë Kurti, më mirë është Kosova sesa vendet më të zhvilluara të BE-së“, u shpreh ai

Ndërkaq, ai shtoi se rinia dhe gratë e Kosovës edhe pse shkollohen, diplomohen apo përfundojnë trajnimet e specializimet, po mbesin pa punë, pa shpresë dhe të vetmen veprim e marrin largimin nga vendi.

“Ky pushtet po mbyll mandatin pa bërë asgjë për rininë e vendit, të diplomuarit dhe gratë në çdo cep të vendit. Viteve të fundit kemi ike shumë të madhe të qytetarëve nga vendi, dhe e cila po mbulohet përmes instrumenteve politikë në platforma të ndryshme. Qeveria Kurti theu shpresat e qytetarëve sepse pritjet ishin shumë të mëdha. Deri sot nuk kemi asnjë masë dhe vendim konkret e të përshtatshëm për rritjen e vendeve të punës“, përfundoi ai.

Reagime për këtë çështje ka pasur edhe nga Eugen Cakolli i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Cakolli ka thënë se një rezultat i tillë është tregues që qytetarët e Kosovës shihen nga Qeveria si një publik injorant e që s’i a kanë idenë as për çështjet më bazike.

“Me thanë që Kosova e ka nivelin ma të ulët të papunësisë në rajon, veç pse në mesin e 1 mijë të anketuarve për Barometrin Ballkanik (2024), sipas mostrës rastësore – 4 kanë deklaruar se janë të papunë, s’është thjesht manipulim, e aq më pak huqje. Është tregues që qytetarët shihen si një publik injorant që s’e ka idenë as për çështjet më bazike”, shkroi ai.

Sipas Cakollit, Barometri me matjet e papunësisë për rajonin megjithatë ka disa gjetje kryesore të vërteta ekonomike.

Sipas tij, të vërtetat e Barometrit janë të radhitura si më poshtë.

“Veç 7% e qytetarëve mendojnë që gjendja ekonomike e Kosovës është e mirë, 65% e qytetarëve e shohin rritjen e çmimeve/kostos së jetesës si problemin kryesor ekonomik dhe shumica e qytetarëve nuk presin që situata e tyre ekonomike të përmirësohet në 12 muajt e ardhshëm”, ka shkruar kështu ai.

Sipas rezultateve të fundit të ASK-së që i takojnë vitit të kaluar e të publikuar këtë vit, rezulton që numri i të papunëve prek një shifër më të lartë.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë që papunësia në Kosovë del të jetë 10,7 për qind për vitin 2023, e që realisht do të thoshte një rënie prej 6.7% këtë vit.

Kurse, në Pulsin Publik të UNDP-së, në anketën e muajit maj 2024, thuhet se varfëria (16.6%), papunësia (16.3%) dhe çmimet për furnizimet thelbësore (12.7). %) janë identifikuar si tre problemet kryesore me të cilat po përballet Kosova.

E sa i përket nivelit të papunësisë për këtë vit, ende ASK-ja nuk ka dalë me një përqindje publike.

 

 

E krahas uljes së papunësisë, edhe largimi i punëtorëve nga Kosova duket se dita ditës është shndërruar në një dukuri në rritje.

Në një matje të fundit, vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rrugën për një vend pune e jetesë jashtë vendit e kanë marrë edhe më shumë se 150 mijë punëtorë.

Por që realisht, shifrat e deritanishme dalin të jenë më alarmuese se sa që janë paramenduar e përfolur në fillim të vitit 2024./Lajmi.net/