Konjufca pret në takim Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, flasin për zhvillimet në vend

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.   Takimi u fokusua në diskutimin e zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, agjendën evropiane të Kosovës dhe përparimin në procesin e reformave për integrimin evropian.  Konjufca, pasi i uroi…

Lajme

10/09/2024 17:17

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. 

 Takimi u fokusua në diskutimin e zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, agjendën evropiane të Kosovës dhe përparimin në procesin e reformave për integrimin evropian. 

Konjufca, pasi i uroi detyrën e re, e njoftoi ambasadorin Orav me punën e deritashme të Legjislaturës VIII, përfshirë miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, si dhe ritheksoi përkushtimin e legjislativit në vazhdimin e reformave të nevojshme, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret dhe është në pritje të dhënies së statusit të vendit kandidat të BE-së.

Ai po ashtu e falënderoi ambasadorin Orav për mbështetjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve. 

 Ambasadori Orav e falënderoi Kryetarin Konjufca për pritjen dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani. 

 Ndërkaq  Konjufca dhe ambasadori Orav shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane. /Lajmi.net/