Zëvendësministrja Gashi takohet me homologun e Kolumbisë, diskutohet për hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas. Siç bëhet e ditur gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një…
Lajme
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Kolumbi.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se Gashi u prit në Pallatin San Carlos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kolumbisë, Jorge Enrique Rojas.
Siç bëhet e ditur gjatë takimit, zëvendësministrat bënë një analizë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shkëmbyen pikëpamje për tranzicionin energjetik dhe ndryshimet klimatike, vizionet për sigurinë njerëzore, shkëmbimet akademike dhe kulturore, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, si dhe për bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave në angazhimin e diasporës.
“Pikë kryesore e takimit ishte hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi”, thuhet në postim.
Zëvendësministri Rojas e falënderoi zëvendësministren Gashi për vizitën dhe shprehu gatishmërinë e Kolumbisë që t’i zgjerojë më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dhe intensifikimit të shkëmbimeve diplomatike.
“Ajo theksoi nevojën për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Po ashtu, u propozuan dhe u iniciuan marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Akademive Diplomatike të të dyja vendeve, konsultimet politike dhe liberalizimi i vizave ndërmjet Kosovës dhe Kolumbisë. Këto marrëveshje, pas shqyrtimit dhe ndjekjes së procedurave të nevojshme, pritet të nënshkruhen nga të dyja palët”.
“Hapja e Ambasadës tregon për angazhimin e Kosovës në këtë hemisferë të botës dhe nevojën për një prani më të madhe jo vetëm në Kolumbi, por edhe në gjithë Amerikën Latine. Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kolumbi do t’i forcojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/