Deklarohet Prokuroria- Motivi i vrasjes në Vranjevc dyshohet se ishin problemet familjare

Një vrasje e rëndë u raportua mbrëmë në rrugën lagjen Vranjevc në Prishtinë. Si fillim ngjarja u raportua si të shtëna me armë zjarri ndërsa më pas nga Policia e Kosovës rasti u konfirmua si vrasje. Në lidhje me këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ku është theksuar se Prokurorja kujdestar…

Lajme

21/08/2024 10:39

Një vrasje e rëndë u raportua mbrëmë në rrugën lagjen Vranjevc në Prishtinë.

Si fillim ngjarja u raportua si të shtëna me armë zjarri ndërsa më pas nga Policia e Kosovës rasti u konfirmua si vrasje.

Në lidhje me këtë ngjarje, lajmi.net ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ku është theksuar se Prokurorja kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga aty në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës kanë marrë veprimet hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarje.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara 56 vjeçare është dërguar në mbajtje për shkak të veprës ‘Vrasje e rëndë’ , sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale”,thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Po ashtu u theksua se nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do të sqarohen më vonë.

“Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”.

Duhet theksuar se e dyshuara në këtë rast është kunata e viktimës. Sipas informacioneve të para e dyshuara shtiu me armë zjarri drejt kunatit derisa të njëjtit po jetonin në të njëjtën shtëpi, por me hyrje të ndara.

Në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 10 gëzhoja të armës së zjarrit që dyshohet të jetë përdorur në rast.

“Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Lajmi.net/