Arratisja e Blerim Ramadanit, flet Faton Klinaku: U arratis dhe bëri shumë mirë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, reagoi sot përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook pas arratisjes së Blerim Ramadanit, duke thënë se bëri shumë mirë që iku. Sipas tij, qëllim kryesor për çështjen e Ramadanit ishte ta ekstradonin këtë…

Lajme

15/08/2024 15:17

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, reagoi sot përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook pas arratisjes së Blerim Ramadanit, duke thënë se bëri shumë mirë që iku.

Sipas tij, qëllim kryesor për çështjen e Ramadanit ishte ta ekstradonin këtë të fundit në Serbi, sepse “shteti artificial I Maqedonisë” si ai e quajti, duhet t’u bindet urdhërave të Vuçiqit.

“Pasi nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi, Blerim Ramadani u arratis dhe bëri shumë mirë.

Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar fletarrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhërat e Vuçiqit”, shkroi ai.

E  një pjesë të fajit, Klinaku ia hodhi edhe qeverisë Kurti.

“Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, shtoi tutje Klinaku.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak ku qëndronte në shtëpinë e të afërmve në Maqedoni të Veriut./Lajmi.net