Konjufca: Vepra e Ismail Kadaresë do të mbetet enciklopedia më e plotë e identitetit shqiptar
Me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ngushëllime ka shprehur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Konjufca përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook është shprehur se kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e saj më të shquar dhe njërin nga kolosët më të veçantë të letërsisë së saj. “Letërsia…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2024/07/Glauk-Konjufca-Ismail-Kadare.jpg)
Lajme
Me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, ngushëllime ka shprehur edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook është shprehur se kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e saj më të shquar dhe njërin nga kolosët më të veçantë të letërsisë së saj.
“Letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar. Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar”, shkroi ai, raporton lajmi.net.
Konjufca ndërkaq shprehu ngushëllimet e tij për bashkëshorten, Helena Kadare dhe familjen Kadare, dhe të gjithë adhuruesit e librave të tij.
Postimi i plotë:
Vepra e Ismail Kadaresë, përveç vlerave letrare e artistike të nivelit botëror, për ç’gjë u përkthye, u lexua e u nderua anë e kënd botës, ajo do të mbetet enciklopedia më e plotë e shpirtit, etnosit dhe identitetit shqiptar. Kadare ishte jo veç krijuesi i veprave monumentale në letërsinë tonë, por edhe qëmtuesi dhe kultivuesi më pasionant i gjuhës shqipe.
Si trasues i traditës së rilindasve, Kadare ishte një flamurtar i palëkundshëm i shqiptarizmës në prozën, poezinë dhe eseistikën e tij. Ai do të mbetet mbrojtësi më i madh i identitetit europian të shqiptarëve.
Ismail Kadare sot na la fizikisht, por ai do të jetojë në mendjen dhe shpirtin e lexuesve të tij përgjithmonë. Vepra e tij do mbetet e pavdekshme.
Ngushëllimet më të sinqerta zonjës Helena Kadare dhe familjes Kadare!
Ngushëllime gjithë lexuesve dhe adhuruesve të librave të tij!
Ngushëllime mbarë kombit shqiptar!./Lajmi.net/