​Thirrje për reforma: Bizneset e turizmit kërkojnë uljen e TVSH-së

Udhëzimet administrative, infrastruktura e dobët, TVSh e lartë, janë vetëm disa nga problemet që po ballafaqohen bizneset. Kryetari i Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) – Departamenti i Estradës, Hysen Sogojeva më një konferencë për media, ka theksuar se Kosova është vendi i vetëm në rajon që paguan 18 për qind TVSH në akomodim, për…

Lajme

03/06/2024 16:43

Udhëzimet administrative, infrastruktura e dobët, TVSh e lartë, janë vetëm disa nga problemet që po ballafaqohen bizneset.

Kryetari i Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) – Departamenti i Estradës, Hysen Sogojeva më një konferencë për media, ka theksuar se Kosova është vendi i vetëm në rajon që paguan 18 për qind TVSH në akomodim, për çfarë ka thënë se është e padrejtë për bizneset.

Sogojeva ka përmendur edhe disa faktorë tjerë që po shkaktojnë telashe në këtë drejtim.

“Jemi të vetmit në rajon që paguajmë 18 për qind TVSh në akomadim, të tjerët kanë 8 për qind maksimumin, pse bizneset tona ta kenë këtë barrë…Do të kërkojmë që udhëzimet administrative që janë aktuale të freskohen, amandamentohen. Kemi bërë kërkesë ministrit Aliut për arsyeje se kemi ankesa të mëdha në sezon, në kohën që duhet të rehabilitohemi në aspektin e fitimit të ardhurave nga klientët, kemi rrugët e bllokuara, ose fillojnë në atë kohë të rregullohen, presim të konfirmojmë kërkesën. Imidiate është formimi i Agjencionit Kombëtar të Turizimit, të vetmit jemi në rajon që nuk kemi Agjencionin e Promovimit të Turizimit. Nuk bëhet zhvillim pa këtë, sepse vlerat duhet nëpërmjet këtij agjencioni të promovohen, merreni shembullin e Shqipërisë”, tha Sogojeva.

Ndërkaq, drejtori i estradës, Afrim Muqiqi ka informuar se estrada është një nga tatim-paguesit më të rregullt. Ndërsa, sa i përket kritikave, që estrada nuk paguan, ai ka thënë se vetëm vitin e kaluar estrada ka paguar mbi 2 milionë e gjysmë euro tatim.

“Do doja t’i informoj gjithë adhuruesit tanë, edhe ata që na kanë ofenduar, sepse estrada është një prej tatim paguesve më të rregullta. Shifrat që kemi marrë nga ATK, të cilin në emër të odës të falënderoj për trasnparencës se ka vite që ka munguar kjo. Pra, në vitin 2020, kemi paguar mbi 400 mijë euro, me një rritje prej 110 për qind në vitin 2021, në vitin 2022 me mbi 2 milionë dhe viti që kemi lënë pas estrada ka paguar mbi 2 milionë euro, shifra zyrtare të dërguara nga ATK…Qëllimi është që ne të kërkojmë nga parlamenti të përfundojë edhe në leximin e dytë i ligjit për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe luftimin e piratëve sepse është dukuri që po na pengon zhvillimin, sidomos nga mosleximi i këtij neni”, tha Muqiqi.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odes, Sadik Gashi është shprehur se çështja e kuponëve fiskal mbetet problematikë për bizneset. Sipas tij, kjo duhet të rregullohet siç është më vendet e rajonit, të ketë një total dhe jo faturë për secilën porosi.

“Ne kemi bërë kërkesë ministrit (të financave) për takim dhe rregullimin e kuponëve fiskal në mënyrë që kuponat ta kenë një total dhe jo secila porosi të dërgohet me një kupon fiskal, për arsyeje se është vera, hapen terrasat dhe mund t’i merr era, dhe mund të humbasë. Në takimin që do të kemi edhe për ngjarjet tjera rreth kërkesave të bizneseve që përfaqësojmë, kërkojmë të rregullohet kjo çështje, për arsyeje se edhe në rajon është një total që i dërgohet klientëve…Biznesin që e menaxhoj ka ndodhë deri në 10 mijë euro na kanë dërguar dënim për këtë arsyeje”, tha Gashi.

Ndërkaq, sa i përket çështjes se a po respektohen pajisjet për matjen e zhurmës nga lokalet e gastronomisë, Muqiqi ka theksuar se këtë duhet të rregullojnë kuvendet komunale, dhe se jo çdoherë kanë faj bizneset.

“Në këtë drejtim, bizneset nuk kanë faj, për arsyeje se janë organet tjera që duhet të merren më këtë çështje, sidomos kuvendet komunale, që duhet t’i obligojnë pronarët e objekteve të bëjnë izolim që kishte me qenë paraprak para se të vendosen aparatet, për shkak se nëse ke objekt që nuk i plotëson këto shkelje, është problem që kuvendi komunal duhet të zgjedh. Sa kemi informata çështja nuk është duke shkuar mirë, sepse bizneset tona po gjobiten herë me të drejtë e herë pa të drejtë”, tha Muqiqi.