Liberalizimi “pa” efekt: Kosovarët i mbesin besnik Shqipërisë për turizëm

Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë. Bregdeti, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës e agroturizmi po tërheqin shumë vizitorë, duke përfshirë edhe ata nga Kosova. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të…

Lajme

09/05/2024 22:20

Përkundër se kosovarët tash e katër muaj po mund të lëvizin lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ata po vazhdojnë të jenë vizitorë besnik ndaj atraksioneve turistike të Shqipërisë.

Bregdeti, turizmi i alpeve, sporteve të aventurës e agroturizmi po tërheqin shumë vizitorë, duke përfshirë edhe ata nga Kosova.

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela, në një intervistë për KosovaPress thotë se pret rritje të numrit të turistëve kosovarë, ani pse qytetarët e vendit tonë, që nga janari i këtij viti kanë mundësinë që të vizitojnë shumë vende të tjera në Evropë.

Qela potencon se është rritur për 50 për qind numri i kosovarëve që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre mujorit të parë të këtij vit, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Unë mendoj se shqiptarët kudo qofshin në Shqipëri apo në Kosovë, shteti mëmë e kanë destinacionin kryesor…Ne presim të kemi rritje dhe në fakt, tre muajt e parë të këtij viti e demonstruan këtë pohimin tim, sepse në krahasim me një vit më përpara në 3 muajt e parë të këtij viti, numri i turistëve kosovarë u rrit mbi 50 për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Qela.

Për KosovaPress, Qela theksoi se po punojnë që shqiptarët ta shohin Kosovën si një nga destinacionet më atraktive për t’u vizituar, derisa përmendi sportet e aventurës si më tërheqëse.

“Ne po punojmë shumë që edhe shqiptarët ta shikojnë Kosovën si një destinacionet më atraktive, veçanërisht për sportet e aventurës Kosova shquhet për destinacionet e mrekullueshme dhe pse jo le të krijojmë një destinacion të përbashkët. Pra, le të jetë Shqipëria dhe Kosova një destinacion i përbashkët, shumë tërheqës për të gjithë turizmin botëror, pse jo”, thekson Qela.

Ndër të tjera, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Zana Qela tregon se pas kosovarëve, numri i vizitorëve nga Italia është rritur trefish më shumë në krahasim me vitet e kaluara.