Tensione në Kuvendin e Gjilanit, mediat raportuan për tentim-sulm – flet Alban Hyseni

Tensione të forta ka pasur sot në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Media “Insajderi” raportoi madje se ka pasur edhe tentim për sulm fizik mes asamblistëve të VV-së  dhe atyre të LDK-së, shkruan lajmi.net. Sidoqoftë, këto pretendime kanë mbetur pa u vërtetuar. Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i pyetur nga lajmi.net lidhur me raportimin…

Lajme

25/04/2024 12:08

Tensione të forta ka pasur sot në seancën e Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Media “Insajderi” raportoi madje se ka pasur edhe tentim për sulm fizik mes asamblistëve të VV-së  dhe atyre të LDK-së, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, këto pretendime kanë mbetur pa u vërtetuar.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i pyetur nga lajmi.net lidhur me raportimin në fjalë, tha se nuk flet për këtë çështje sepse nuk është “asamblist”.

“Nuk jam asamblist. Nuk flas për këtë temë”, i tha shkurt ai gazetares së lajmi.net.

Se pati tensione, e konfirmoi edhe vet Kuvendi Komunal i Gjilanit, mirëpo që nuk konfirmoi nëse pati përplasje fizike apo jo.

“Kuvendi i Komunës së Gjilanit nuk ka arritur ta mbajë seancën e sotme, e cila ka filluar në një atmosferë tensionesh në relacionet pozitë-opozitë dhe është dashur të ndërpritet për mungesë kuorumi. Opozita e cila përbënë shumicën në Kuvend, nëpërmjet Avdyl Aliut (LDK) e Bujar Nevzatit (PDK) ka deklaruar se nuk është e gatshme të marrë pjesë në seancë për shkak të mungesës së transmetimit online të saj”, thanë nga zyra për informim e Kuvendit Komunal

Siç thanë nga kjo zyre opozita (LDK, PDK, AAK, Vatra, LS) e kanë lëshuar seancën me arsyetim se nuk ka kushte për vazhdimin e saj, pasi qytetarëve nuk po u mundësohet të ndjekin online punimet e Kuvendit.

“Ismajl Kurteshi (LVV) tha se kjo krizë duhet të zgjidhet në bazë të ligjit, duke shtuar se Udhëzimi Administrativ 04/2023, neni 6 thotë se Organet e Komunës janë të obliguara të sigurojnë qasje aktive në përdorimin e sistemit të teleprezencës, me qëllim të krijimit të kushteve për monitorim dhe vlerësim të proceseve për mekanizmat monitoruese të MAPL-së, palëve të interesuara dhe institucioneve tjera në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, përmes stafit të autorizuar të komunës”, tha tutje Kuvendi Komunal në një deklaratë. /Lajmi.net/