Zgjedhjet në Veri: Pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme

Deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë deklaruar lidhur me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Subjekti në pushtet Lëvizja Vetëvendosje pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor pas shkarkimit të kryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehen kritik dhe skeptik për këtë proces,…

Lajme

11/03/2024 14:49

Deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë deklaruar lidhur me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Subjekti në pushtet Lëvizja Vetëvendosje pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor pas shkarkimit të kryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehen kritik dhe skeptik për këtë proces, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk duhet të ketë kthim prapa në aspektin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës.

Shefja e deputetëve të mazhorancës, Kusari-Lila tha se pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor, nëse shkarkohen kryetarët aktual më 21 prill.

Derisa nënvizoi se nuk pret që përkatësia etnike e kryetarëve të ardhshëm në veri të thotë që apriori e mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përdhosin simbolet shtetërore të Kosovës.

Por kritik për procedurën e procesit zgjedhor në katër komunat në veri u shpreh shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ai tha se mënyra e shkarkimit të kryetarëve në veri, pa një marrëveshje politike e thellon ndarjen ndër-etnike atje.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kërkoi nga institucionet e Kosovës që mos të ketë kthim prapa sa i përket aspektit të përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës në veri.

Më skeptik për procesin zgjedhor në katër komunat veriore u shfaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

Para gazetarëve, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, foli edhe për vizitën e emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Krahas këtyre, katër partitë parlamentare u shprehën të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve qofshin ato të parakohshme apo të rregullta.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës, me kërkesë të partive opozitare ka vendosur që të enjten të mbahet seancë e jashtëzakonshme sa i përket kontratave njëburimore në Qeverinë e Kosovës.