GJNP-ja lëshon fletarrestime për dy komandantë të lartë rusë
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) njoftoi të martën se ka lëshuar fletarrestime për dy komandantë të lartë rusë, Sergei Kobylash dhe Viktor Sokolov, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në Ukrainë. GJNP-ja, me bazë në Hagë, tha se ka arsye të forta për të besuar se dy të dyshuarit janë përgjegjës për “sulme raketore të…
Bota
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) njoftoi të martën se ka lëshuar fletarrestime për dy komandantë të lartë rusë, Sergei Kobylash dhe Viktor Sokolov, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në Ukrainë.
GJNP-ja, me bazë në Hagë, tha se ka arsye të forta për të besuar se dy të dyshuarit janë përgjegjës për “sulme raketore të kryera nga forcat e udhëhequra nën komandën e tyre kundër infrastrukturës elektrike të Ukrainës nga së paku 10 tetori 2022 deri më së paku 9 mars 2023”.
Kjo është vala e dytë e fletarrestimeve për arrestimin e zyrtarëve rusë në lidhje me luftën në Ukrainë.
Në mars të vitit të kaluar, GJNP-ja lëshoi fletarrestime për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe për komisionaren e të drejtave të fëmijëve në Rusi, Maria Lvova-Belova, të akuzuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Kremlini i ka mohuar këto akuza.
GJNP-ja tha të martën se sulmet ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës u shkaktuan civilëve dëme të mëdha.
Kolyash, gjenerallejtënant, është komandant i Aviacionit me Rreze të Gjata Veprimit të Forcës Ajrore të Rusisë. Sokolov është admiral dhe ish-komandant i Flotës së Rusisë në Detin e Zi.
Prokurorët ukrainas e kanë nisur kohë më parë një hetim ndaj dyshimeve për krime lufte, pas një fushate të sulmeve ajrore ruse gjatë dimrit në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.
Rusia e mohon se e vë në shenjë qëllimisht infrastrukturën civile në Ukrainë, duke pretenduar se sulmet e saj kanë për qëllim t’ia kufizojnë Kievit aftësitë për të luftuar. /REL