Stafi në grevë, mbyllet kulla Eiffel
Kulla Eiffel, një prej atraksioneve më të mëdha turistike në botë, u mbyll për publikun më 27 dhjetor, pasi stafi hyri në grevë, njoftoi operatori i Kullës. Greva përkon me 100-vjetorin e vdekjes së inxhinierit, Gustave Eiffel, që ndërtoi Kullën. Stafi po proteston lidhur “me mënyrën se si po menaxhohet aktualisht” kulla, tha shoqata CGT…
Bota
Kulla Eiffel, një prej atraksioneve më të mëdha turistike në botë, u mbyll për publikun më 27 dhjetor, pasi stafi hyri në grevë, njoftoi operatori i Kullës.
Greva përkon me 100-vjetorin e vdekjes së inxhinierit, Gustave Eiffel, që ndërtoi Kullën. Stafi po proteston lidhur “me mënyrën se si po menaxhohet aktualisht” kulla, tha shoqata CGT përmes një deklarate.
Operatori i Kullës, SETE, tha se kjo situatës “është nisur drejt katastrofës”.
Shoqata CGT tha se menaxhmenti po e menaxhon Kullën Eiffel sipas një modeli biznesor që është “shumë ambicioz dhe i paqëndrueshëm” dhe që bazohet në një vlerësim të fryrë të numrit të vizitorëve të ardhshëm dhe në të njëjtën kohë nënvlerëson kostot e ndërtimit.
SETE u kërkoi falje vizitorëve, duke i këshilluar të gjithë ata që kishin blerë bileta elektronike për të vizituar Kullën të mërkurën që të shikojnë emailet e tyre për më shumë informacione mbi rezervimin e tyre.
Kulla e Eiffelit – ndërtesa më e famshme e Parisit – tërheq pothuajse 7 milionë vizitorë në vit, rreth tre e katërta e të cilëve janë të huaj, thuhet në ueb-faqen e Kullës.
Gjatë pandemisë së koronavirusit, numri i vizitorëve ra për shkak të mbylljeve dhe kufizimeve të udhëtimit, por shifrat e vizitorëve u rritën në 5.9 milionë më 2022.
Shoqata CGT tha se menaxhmenti i Kullës po e bazon të ardhmen e tij në buxhetin prej 7.4 milionë vizitorësh në vit, “dhe pse ky nivel vizitorësh nuk është arritur kurrë”.
Inxhinieri i Kullës, Gustave Eiffel, vdiq më 27 dhjetor 1923, në moshën 91-vjeçare./REL