Dëshmon Gani Krasniqi, thotë se Dushko Arsiqi rrahu djalin e tij – momente nga gjykimi dramatik

Sot në gjykimin për krime lufte ndaj serbit Dushko Arsiq ka dëshmuar Gani Krasniqi. Krasniqi pretendon se Arsiq e ka rrahur të dëmtuarin A.K i cili ishte djali i tij. “Qeky osht Dushko Arsiqi që e ka vra djalin edhe që e ka rreh djalin tem”, ka thënë Krasniqi në gjykim. Një deklarim të tillë…

Lajme

21/11/2023 22:08

Sot në gjykimin për krime lufte ndaj serbit Dushko Arsiq ka dëshmuar Gani Krasniqi.

Krasniqi pretendon se Arsiq e ka rrahur të dëmtuarin A.K i cili ishte djali i tij.

“Qeky osht Dushko Arsiqi që e ka vra djalin edhe që e ka rreh djalin tem”, ka thënë Krasniqi në gjykim.

Një deklarim të tillë i njëjti e ka bërë duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Arsic në gjykimin ku i njëjti po ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K, shkruan lajmi.net.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 24 nëntor 2023 siç ishte e paraparë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsic në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsicin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.

Aktakuza e bën përgjegjës Arsicin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.

Arsic akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë, Arsic akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.