Biden: Mbështetja për Izraelin dhe Ukrainën është jetike për sigurinë e SHBA-së

Mbështetja për Ukrainën dhe Izrealin duhet të thellohet në kohën kur këto dy vende po përballen me luftëra të përgjakshme. Kështu deklaroi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden gjatë një adresimi. “Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre,…

Bota

20/10/2023 09:29

Mbështetja për Ukrainën dhe Izrealin duhet të thellohet në kohën kur këto dy vende po përballen me luftëra të përgjakshme.

Kështu deklaroi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden gjatë një adresimi.

“Historia na ka mësuar se kur terroristët nuk e paguajnë çmimin për terrorin e tyre, kur diktatorët nuk e paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos, vdekje dhe shkatërrim”, tha Biden.

Biden tha se do të dërgojë një kërkesë urgjente për financim në Kongres për të dy aleatët e SHBA-së të përfshirë në luftëra, raporton REL.

“Grupi militant palestinez Hamas dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin paraqesin kërcënime të ndryshme, por ata kanë këtë të përbashkët: Që të dy duan të zhdukin një demokraci fqinje”, tha Biden, duke shtuar se fondet për Izraelin dhe Ukrainën “janë një investim i mençur” që do të “paguajnë dividendë për sigurinë amerikane për gjenerata të tëra”.

Para adresimit nga Zyra Ovale, Shtëpia e Bardhë tha se Biden ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Uashingtonit për Kievin i cili po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar.

Ndërkaq, Biden qëndroi në Izrael më 18 tetor për të shprehur mbështetjen e shtetit të tij, pasi militantët e Hamasit nisën sulmet e koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor, gjë që çoi në një kundërpërgjigje të ashpër të këtij të fundit./Lajmi.net/