Keni bërë blerje online: Mashtrimet në këtë biznes janë bërë trend në Kosovë

Rreth 90 konsumatorë janë ankuar se kanë rënë pre e mashtrimeve nga shitjet online në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri në shtator të këtij viti. Nga ky departament thonë se ankesat e tilla dërgohen në Inspektoratin e Tregut për shqyrtim dhe më pas veprojnë duke hartuar raportin në bazë të procesverbalit. Ndërkaq, nga Shoqata…

Lajme

08/10/2023 13:39

Rreth 90 konsumatorë janë ankuar se kanë rënë pre e mashtrimeve nga shitjet online në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri në shtator të këtij viti. Nga ky departament thonë se ankesat e tilla dërgohen në Inspektoratin e Tregut për shqyrtim dhe më pas veprojnë duke hartuar raportin në bazë të procesverbalit. Ndërkaq, nga Shoqata “Konsumatori”, potencojnë se duhet formuar Ministria e Konsumatorit, në mënyrë që të ketë sa më pak raste të mashtrimeve.

Një qytetare nga Prishtina e cila ka dashur të mbesë anonim, për KosovaPress, ka treguar se është mashtruar nga një faqe online në rrjetin social Instagram. Ajo tha se ka porositur një kostum, por ajo që i erdhi ishte komplet diçka tjetër, derisa shtoi se nuk mori më kurrë përgjigje nga biznesi për ta ndërruar porosinë.

“Para një muaji e kam porositur një kostum komplet për vetë te një faqe online në Instagram. Gjithçka ishte në rregull kur e bëra porosinë deri kur ka ardhur porosia. I kam kërkuar postierit që ta hap porosinë, nuk më ka lejuar. Kur e kam hapur paketimin, komplet diçka tjetër më kanë sjellur. As nuk ka qenë modeli i njëjtë, as ngjyra e as masa, asgjë. Iu kam shkruar menjëherë në faqe, kam kërkuar ndërrim, kurrë nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Pastaj edhe i kam thirrur në Instagram, sepse nuk kanë asnjë numër apo kontakt për t’i thirrur, ende nuk kam marrë përgjigje. Rrobat më kanë mbetur aty, kurrë nuk kam mundur t’i përdorë”, tha ajo përmes telefonit.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku tha se ka mbi 10 vite që merren me problemin e porosive online, derisa shtoi se duhet krijuar Ministria e Konsumatorit.

“Cila Ministri e Tregtisë, a kemi ne Ministri të Tregtisë, problemi i parë i neve si qytetarë-konsumatorë është Ministria e Tregtisë. Komponenta kryesore socio ekonomike, është konsumi, qytetari konsumator. Pa konsum dhe pa konsumatorë nuk do të ekzistonte ekonomia, nuk do të ekzistonte tregtia, as industria as inovacione. Ndërsa ne e kemi Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Inovacionit por nuk e kemi Ministrinë e Konsumatorit. E kemi departamentin, që për fat të keq nuk është drejtorat, është i nëpërkëmbur dhe i shtypur. Mosnjohja fillon nga MINT, ani që në organogramin e saj është një Departament për Mbrojtjen e Konsumatorit, është një zyre për mbrojtjen e konsumatorit dhe është një këshillë për mbrojtjen e konsumatorit”, tha Kaçaniku.

Kaçaniku potencoi se nëse nuk i jepet mbrojtje e duhur ekonomisë, tregut dhe konsumatorit, mundësia që keqbërësit të shtohen është më e madhe.

“Nëse në jemi të tillë që nuk i japim mbrojtje të duhur ekonomisë, tregut dhe qytetarit konsumator, taksa pagues, natyrisht që keqbërësit shumohen. Natyrisht se ata janë një hap përpara inovacioneve, ndërsa ky sektor ka gjithmonë inovacione dhe ka nevojë për inovacion , ndërsa në shumë pak investojmë tek inovacionet dhe me inovacione elektronike ta mbrojmë qytetarin konsumator, shumë pak e bëjmë këtë. Banka Qendrore e ka divizionin e ankesave, por sa shfrytëzohet ajo, çdo kush le ta ketë në ndërgjegjen e vet. E kemi asociacionin e bankave, por i shërben bankave jo neve, dhe i kemi bankat komerciale secila e ka një kontroll, një menaxher të komunikimit me klientët…Derisa unë e kam paranë në dorën time, unë jam Zoti i parasë time. Mendtë në kokë, paranë në xhep, mos ta lejojmë askënd të na mashtrojë”, theksoi Kaçaniku.

Ndërkaq, nga Ministria e Tregtisë përmes emailit, tregojnë se nga 86 ankesa të pranuara për mashtrim nga faqet online, 51 prej tyre janë trajtuar nga Inspektorati i Tregut, derisa shtojnë se ‘pothuajse të gjitha janë në favor të konsumatorit.

“Numri i ankesave për mashtrime Online përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit (DMK) për vitin 2023 (deri në këtë moment) është gjithsej 86. Ankesat e tilla, në bazë të dëshmive (si ‘fletë dërgesa e postës, foto e produktit…) nga DMK dërgohen të Inspektorati i Tregut për shqyrtim. Në bazë të shqyrtimit ndërmerret veprim dhe hartohet raporti në baze të procesverbal, i cili rrjedhimisht i përcjellët de DMK dhe respektivisht konsumatorit. Nga totali i ankesave për blerje Online (86), vetëm përgjatë këtij viti, Inspektorati i Tregut deri aktualisht ka arritur të trajtoj deri me tani 51 ankesa, thuajse të gjitha në favor të konsumatorit”, thuhet në përgjigjen e MINT-it përmes emailit.

Përveç kësaj, nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit potencojnë masat që kanë ndërmarrë për të ndaluar trendin e manipulimeve nga shitjet online, derisa tregojnë se si duhet vepruar konsumatorët para se të marrin porosinë.

“Nga DMK zhvillohen në vazhdimësi fushata vetëdijeuese, së fundmi me theks të veçantë lidhur me blerjet on-line. Vetëm përgjatë ‘javës se konsumatorit’ (muaji mars) janë shpërndarë rreth 6000 fletëpalosje vetëdijesuese lidhur me ketë trend në rritje. Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit specifikisht është fokusuar në forcimin e bazës ligjore në lidhje me ketë dukuri, konkretisht përmes ekspozimit të Direktivës 2019/65 që trajton mbrojtjen e konsumatorit nga tregjet elektronike.Konsumatori paraprakisht të kontrolloj ueb-faqen e shitësit. Të sigurohet para pagesës që në adresën ‘https’ gjithmonë të jetë shkronja ‘s’ – mbrojtje në ‘enkriptimin’ e të dhënave. Të ruaj dokumentin në dispozicion me rastin e porositjes se mallit. Të ruaj fletë dërgesën postare me rastin e pranimit të mallit (mundësi të parashtroj ankesë në qoftë se vërtetohet mashtrimi”, thuhen në përgjigjen e DMK-së.

Përndryshe, shpesh në rrjetë sociale qytetarët postojnë biseda të ndryshme me faqet tek të cilat kanë porositur, duke u ankuar se nuk kanë marrë produktin që e kanë kërkuar, ose që porosia është e dëmtuar. Në komunikim shihet që bizneset në fjalë, ose nuk iu përgjigjen fare shkrimeve, ose thonë se nuk pranojnë ndërrim apo kthim të produktit.