Akuzohet për posedim të jashtëligjshëm të armës, djali i presidentit Biden deklarohet i pafajshëm
Hunter Biden, djali i presidentit amerikan Joe Biden, u deklarua i pafajshëm të martën për posedim të jashtëligjshëm të armës. Prokurorët dyshojnë se Hunter Biden, 53 vjeç, gënjeu për përdorimin e drogës në formularin federal kur e bleu një revole Colt Cobra në vitin 2018. Ai e ka pranuar se asokohe ishte përdorues i madh…
Bota
Hunter Biden, djali i presidentit amerikan Joe Biden, u deklarua i pafajshëm të martën për posedim të jashtëligjshëm të armës.
Prokurorët dyshojnë se Hunter Biden, 53 vjeç, gënjeu për përdorimin e drogës në formularin federal kur e bleu një revole Colt Cobra në vitin 2018.
Ai e ka pranuar se asokohe ishte përdorues i madh i kokainës, por nuk e pranoi se e ka shkelur ligjin.
Ai u paraqit në gjykatën federale në Delavere në një seancë që zgjati 25 minuta.
Biden mund të dënohet me 25 vjet burgim, nëse shpallet i fajshëm për tri akuzat federale.
Ndaj tij u ngrit aktakuzë në fund të shtatorit, pasi përpjekjet për të arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dështuan në korrik.
Biden përballet me tri akuza, të cilat kanë të bëjnë me dyshimet se ai gënjeu në formularët kur e bleu revolën në kohën sa ishte përdorues i drogës.
Sipas ligjeve federale në SHBA, është krim të gënjesh në dokumente të tilla, apo të mbash armë zjarri derisa je përdorues i drogës.
Kjo nënkupton se Hunter përballet me gjykim penal në një kohë kur babai i tij po bën fushatë për t’u rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.
Rivali i mundshëm republikan i Bidenit, Donald Trump, përballet me katër gjykime të ardhshme penale, në dy prej të cilave ai do të gjykohet për tentimet e tij për ta zhbërë disfatën ndaj Bidenit në zgjedhjet e 2020-ës.
Trump i ka mohuar akuzat vazhdimisht.
Djali i presidentit, i cili ka folur publikisht për përdorimin e drogës, nuk ka mbajtur kurrë pozitë në Shtëpinë e Bardhë apo në fushatën e babait të vet. /REL/