Pse Suedia dhe Danimarka s’e ndalojnë djegien e Kuranit?
Aktivistë kundër Islamit në Suedi dhe Danimarkë kanë djegur ose dëmtuar së voni disa kopje të Kuranit – librit të shenjtë të myslimanëve. Vandalizmi i fundit ka ndodhur më 3 shtator në qytetin Malmo të Suedisë dhe është kryer nga Salëan Momika. Ngjarja është pasuar me përleshje të dhunshme midis protestuesve të zemëruar dhe policisë,…
Bota
Aktivistë kundër Islamit në Suedi dhe Danimarkë kanë djegur ose dëmtuar së voni disa kopje të Kuranit – librit të shenjtë të myslimanëve.
Vandalizmi i fundit ka ndodhur më 3 shtator në qytetin Malmo të Suedisë dhe është kryer nga Salëan Momika.
Ngjarja është pasuar me përleshje të dhunshme midis protestuesve të zemëruar dhe policisë, e cila ka arrestuar së paku dhjetë prej tyre.
Momika është refugjat nga Iraku, i cili thotë se kundërshton gjithë institucionin e Islamit. Ai ka djegur disa kopje të librit të shenjtë në muajt e fundit.
Aksione të ngjashme kanë kryer edhe aktivistë të tjerë të ekstremit të djathtë, si në Suedi, ashtu edhe në Danimarkë. Dhe, tezë e përbashkët e të gjithë atyre është se myslimanët nuk i përkasin Evropës, e aq më pak vendeve nordike.
Qeveritë e shumë vendeve me shumicë myslimane i kanë dënuar në termat më të ashpër aktet e përdhosjes së Kuranit.
Në mes të korrikut, qindra njerëz kanë sulmuar ambasadën suedeze në Bagdad, duke i vënë flakën disa pjesëve të saj. Iraku, gjithashtu, ka dëbuar ambasadorin suedez dhe ka udhëzuar homologun e tij irakian që të tërhiqet nga ambasada në Stokholm.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO, derisa Stokholmi nuk e adreson çështjen e djegies së Kuranit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje Suedisë që ta dorëzojë Momikën dhe djegësit e tjerë të Kuranit përpara “sistemeve gjyqësore të vendeve islamike”.
Zhvillimet kanë ngritur alarmin në vendin që tradicionalisht e ka parë veten si respektues të pakicave. Shërbimi suedez i sigurisë, SAPO, ka thënë se djegiet e kopjeve të Kuranit dhe fushatat e dezinformimit e kanë transformuar imazhin e Suedisë – “nga një vend tolerant në një vend armiqësor ndaj Islamit dhe myslimanëve”.
“Policia e sigurisë po merret tani me kërcënime të vazhdueshme për sulme kundër Suedisë dhe interesave të Suedisë. Për rrjedhojë, alarmi për terrorizëm rritet në nivelin e dytë më të lartë”, ka njoftuar SAPO, muajin e kaluar.
Suedia është një ndër vendet me mbrojtjen më të madhe të lirisë së shprehjes. Kushtetuta e saj garanton të drejtën e lirisë së shprehjes për çdo temë, përfshirë edhe “shprehjen e mendimeve që vënë në dyshim mesazhet fetare, ose që mund të perceptohen si të dëmshme për besimtarin”.
Qeveria suedeze i ka cilësuar si “islamofobike” përdhosjet e Kuranit dhe ka thënë se ato nuk reflektojnë qëndrimet e saj. Por, një grup i shkrimtarëve suedezë ka thënë se ky reagim “është jashtëzakonisht i papërshtatshëm” dhe se nuk përkon me lirinë e shprehjes.
Ngjashëm sikurse Suedia, edhe Danimarka është në mesin e vendeve më laike dhe më liberale në botë. Suedia e ka shfuqizuar ligjin e blasfemisë në vitin 1970, ndërsa Danimarka më 2017. Pra, qeveritë e të dyja vendeve nuk kanë mjete ligjore për të ndaluar përdhosjet e Kuranit apo cilitdo libër tjetër të shenjtë. Megjithatë, kanë thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të ndaluar, ose së paku kufizuar aktet e tilla në vende publike.