Kampioni vendoset në kryeqytet, FC Liqeni e barazon serinë finale
FC Liqeni e ka barazuar serinë finale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës në futsall. Skuadra nga Drenasi, të martën në mbrëmje, në palestrën “Hysni Jetullahu” fitoi me rezultatin 4:3 ndaj Prishtinës 01, në praninë e një numri të madh të shikuesve. Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në fund, por fitues dolën lojtarët e skuadrës…
Sport
FC Liqeni e ka barazuar serinë finale të “play-off”-it të Superligës së Kosovës në futsall. Skuadra nga Drenasi, të martën në mbrëmje, në palestrën “Hysni Jetullahu” fitoi me rezultatin 4:3 ndaj Prishtinës 01, në praninë e një numri të madh të shikuesve.
Ndeshja ishte e baraspeshuar deri në fund, por fitues dolën lojtarët e skuadrës nga Drenasi. Liqeni kaloi në epërsi në fillim të ndeshjes, ndërsa kryeqytetasit më pas shënuan dy gola tjerë për ta përmbysur rezultatin në 2:1.
Megjithatë, kolumbiani Camillo i realizoi golat vendimtar për vendasit. Fillimisht e barazoi rezultatin në 2:2 dhe në fund të pjesës së parë, realizoi golin tjetër për 3:2. Dardan Topilla më pas shënoi golin për shifrat 4:2, që edhe e vendosi fituesin.
Deri në fund të ndeshjes Prishtina 01 nuk arriti më shumë se sa ta ngushtojë epërsinë në 4:3 nëpërmjet një autogoli, por nuk e pati forcën ta dërgonte ndeshjen në vazhdime.
Ndeshja e tretë finale, e cila do ta përcaktojë skuadrën kampione, do të luhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, më 11 qershor në orën 20:00.