Mediat ndërkombëtare e “gozhdojnë” Gjokoviqin për skandalin, e quajnë nacionalist dhe anti-kosovar

Tenisti nacionalist serb, Novak Gjokoviq është bërë kryelajm për të keq edhe në mediat kryesore ndërkombëtare për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij skandaloze për Kosovën, shkruan lajmi.net. Gjokoviq fitoi në raundin e parë të Grand Slamit të Roland Garros kundër tenistit amerikan me origjinë serbe, Aleksandar Kovaçeviq me rezultat 6:3, 6:2, 7:6. Nacionalisti…

Sport

30/05/2023 10:27

Tenisti nacionalist serb, Novak Gjokoviq është bërë kryelajm për të keq edhe në mediat kryesore ndërkombëtare për shkak të deklaratave dhe veprimeve të tij skandaloze për Kosovën, shkruan lajmi.net.

Gjokoviq fitoi në raundin e parë të Grand Slamit të Roland Garros kundër tenistit amerikan me origjinë serbe, Aleksandar Kovaçeviq me rezultat 6:3, 6:2, 7:6.

Nacionalisti serb pas fitores së tij iu drejtua kamerës duke shkruar disa fjalë skandaloze. “Kosova është Serbi. Stop dhunës” – ka shkruar në mënyrë skandaloze Gjokoviq në kamerë.

Përveç kësaj, Gjokoviq nuk u ndal me skandale edhe me një deklaratë jo shumë orë pas asaj që bëri në fushë.

“Si serb më dhemb shumë kjo që po ndodhë në Kosovë. Njerëzit tanë po dëbohen nga komunat. Më e pakta që mund të bëjë ishte kjo. Ndjehem përgjegjës si person publik dhe djali i një njeriu që ka lindur në Kosovë. Ndjej nevojën të tregoj mbështetje për gjithë Serbinë. Nuk e di se çka sjell e ardhmja për popullin serb dhe Kosovën, por është shumë e nevojshme të tregohet përkrahje”, tha ai.

“Nuk e di çka do të ndodhë, e di që ka pasur pyetje nga gazetarët ndërkombëtarë se a do të më dënojnë. Nuk kam asnjë pendesë, do ta bëja sërish. Jam kundër luftës dhe konflikteve, këtë e kam treguar gjithnjë. Situata me Kosovën është precedent sipas kartës së OKB-së dhe të gjitha të drejtave. Më vjen keq për situatën në të cilën jemi. Kosova është vatër e jona, kala e jona. Atje është bërë beteja më e madhe, atje ndodhen manastiret më të rëndësishme. Arsyet janë të shumta e sidomos pasi ajo është e vërteta”, shtoi Gjokoviq.

Këto veprime skandaloze të sportistit serb kanë bërë bujë edhe në mediat më të mëdha ndërkombëtare.

The Guardian, DailyMail e Sky Sports i kanë kushtuar artikull skandaleve të Gjokoviqit duke e “gozhduar” atë, madje duke e quajtur edhe nacionalist dhe një anti-kosovar.

“Novak Gjokoviq ka ndezur një grindje të mundshme politike pasi shkroi frazën “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa bëri thirrje për paqe pas fitores së tij” – shkroi The Guardian, transmeton lajmi.net.

“Serbi Novak Gjokoviq ndez debatin politik duke shkruar mesazh nacionalist dhe anti-kosovar në kamerën televizive” – thuhet në titullin e artikullit të DailyMail.

“Novak Gjokoviq dërgon mesazh politik për Kosovën në French Open pas shpërthimit të dhunës” – ka raportuar Sky Sports.

Këto deklarata dhe veprime të Gjokoviqit vijnë vetëm pak ditë pasi bashkëkombasit e tij, nacionalistët dhe huliganët serbë që jetojnë në veri të Kosovës janë përleshur me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it./Lajmi.net/