Drita apo Ballkani | Gara për titull në “sytë” e ish-futbollistëve të Superligës së Kosovës

Me fitoren e Ballkanit (1:2) në Gjilan kundër Dritës në fundjavën që e lamë pas është ashpërsuar edhe më shumë gara për titullin e kampionit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Drita dhe Ballkani kryesojnë tani me 66 pikë pas 33 ndeshjeve të zhvilluara, e ku deri në fund kanë mbetur për t’u…

Sport

11/05/2023 13:40

Me fitoren e Ballkanit (1:2) në Gjilan kundër Dritës në fundjavën që e lamë pas është ashpërsuar edhe më shumë gara për titullin e kampionit këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll.

Drita dhe Ballkani kryesojnë tani me 66 pikë pas 33 ndeshjeve të zhvilluara, e ku deri në fund kanë mbetur për t’u luajtur vetëm edhe tri ndeshje. Drita është lidere për shkak të goldallimit më të mirë.

Në lidhje me këtë garë të rivalizuese mes dy kandidatëve për titull të kampionit, lajmi.net ka kontaktuar me dy ish-futbollistët e mirënjohur të elitës së futbollit kosovar, Labinot Osmani dhe Berat Hysenin për të marrë vlerësimin e tyre.

Osmani: Drita ka një përparësi shumë të vogël

Ish-sulmuesi i spikatur i elitës së futbollit kosovar, Labinot Osmani vlerësoi dy ekipet për kualitetet e tyre në vitet e fundit.

“Dyja skuadrat si Drita, ashtu edhe Ballkani në vitet e fundit janë ndër skuadrat me kualitative ne vend gjë që e dëshmon edhe lufta mes tyre për titullin kampion. Sa i përket kualiteteve të skuadrave besoj që qëndrojnë përafërsisht njëjtë dhe me një vazhdimësi të paraqitjeve të mira dhe rezultateve pozitive si në kampionatin vendor ashtu edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Osmani të enjten për lajmi.net.

Osmani pohoi se Drita ka një përparësi në raport me Ballkanin për shkak të goldallimit më të mirë në përballje direkte e që mund të përcaktojë titullin e më të mirit.

“Kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund dhe secila skuadër që e bën gabimin më të vogël mund t’i kushtojë me titull. Në këtë rast qysh qëndrojnë punët nëse te dyja skuadrat do të fitonin ndeshjet e mbetura, kampioni do të vendosej me golaverazhin e përballjeve direkte. Do të thotë Drita e ka një përparësi shumë të vogël dhe ka tri finale për dallim që Ballkani duhet t’i fitojë tri skuadrat dhe të pres në gabim eventual të Dritës. Është shumë pozitive që kampionati të jetë kaq shumë i luftuar dhe i papërcaktuar më herët. Unë shpresoj të kemi edhe këto tri xhiro interesante dhe në fund secila skuadër që do të fitojë do e meritojë titullin kampion”, theksoi Osmani.

Hyseni: Ballkani do ta mbrojë titullin edhe këtë vit

Berat Hyseni, një tjetër ish-futbollist me shumë përvojë në futbollin e Kosovës vlerëson se Ballkani do ta mbrojë titullin e kampionit edhe këtë vit.

Ai për këtë ka treguar edhe disa arsye të cilat ai beson se e veçojnë ekipin suharekas karshi atij gjilanas.

“Të dy kampet kanë lojtarë me kualitet të lart si Drita ashtu dhe Ballkani. Mirëpo Ballkanit nga Suhareka do i jepja një përparësi. Trajnerin që ata kanë në kampin e tyre, fondin e lojtarëve, mentalitetin e një skuadre fituese, me një lojë shumë të bukur, mendoj që ata do të jenë prap kampion në këtë edicion. Kanë përvojë ndërkombëtare. Në garat kualifikuese kanë arritur që të kenë një vetëbesim dhe mendoj që deri në fund ata do të jenë kryefjala e Superligës dhe në këtë edicion të paktën ky është mendimi dhe dëshira ime njëkohësisht”, deklaroi Berat Hyseni për lajmi.net.

Drita në tri ndeshjet e fundit do të ketë punë me Gjilanin në cilësinë e mysafirit, e pret Malishevën dhe në xhiron e fundit udhëton në Skenderaj te Drenica e cila tanimë ka humbur gjasat pë mbijetesë.

Në anën tjetër, Ballkani luan si vendas me Llapin dhe Ferizajn, ndërsa në javën e fundit luan si mysafir te Gjilani./Lajmi.net/