Interi e fiton betejën e parë kundër Milanit, bën hap të madh drejt finales së Ligës së Kampionëve

Interi e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Milanit në Ligën e Kampionëve, shkruan lajmi.net. “Nerazzurrët” triumfuan me rezultat të pastër 0:2 kundër “Rossonerëve” në stadiumin “San Siro”. Shifrat u zhbllokuan tek pas tetë minutave lojë kur sulmuesi boshnjak, Edin Dzeko iu përgjigji pozitivisht harkimit të Çalhanoglut nga këndi për të shënuar një gol…

Sport

10/05/2023 22:56

Interi e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale kundër Milanit në Ligën e Kampionëve, shkruan lajmi.net.

“Nerazzurrët” triumfuan me rezultat të pastër 0:2 kundër “Rossonerëve” në stadiumin “San Siro”.

Shifrat u zhbllokuan tek pas tetë minutave lojë kur sulmuesi boshnjak, Edin Dzeko iu përgjigji pozitivisht harkimit të Çalhanoglut nga këndi për të shënuar një gol të bukur.

Vetëm tre minuta më vonë, kuqezinjtë u shokuan sërish kur mesfushori Mkhitaryan dyfishoi avantazhin e Interit nga afërsia.

Momentet e mira për Interin vazhduan edhe pas katër minutave lojë, kur Hakan Çalhanoglu me një goditje të fuqishme nga distanca e goditi shtyllën.

Interi e mbylli pjesën e parë të ndeshjes me dominim thuajse në të gjitha aspektet kundër Milanit.

Në pjesën e dytë, Milani tentoi në disa raste që të paktën ta ngushtonte avantazhin. Vlen të përmendet goditja e Tonalit që u përplas në shtyllë.

Ndeshja e dytë ndërmjet dy rivalëve të përbetuar lokal luhet javën e ardhshme, gjithashtu në stadiumin “San Siro”.

Ekipi që shkon në finale do të përballet me fituesin e ndeshjes tjetër Manchester City – Real Madrid./Lajmi.net/