Panadiq i lumtur me pikët e plota, Devolli pranon se Drenica është dorëzuar për mbijetesë
Ferizaj ka triumfuar kundër Drenicës në takimin e vlefshëm për javën e 32-të në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi i udhëhequr nga trajneri kroat, Andrej Panadiq fitoi 2:0 kundër kuqezinjve në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj. Trajneri i Ferizajt, Andrej Panadiq është shprehur i lumtur me pikët e plota të fituara nga skuadra…

Sport
Ferizaj ka triumfuar kundër Drenicës në takimin e vlefshëm për javën e 32-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri kroat, Andrej Panadiq fitoi 2:0 kundër kuqezinjve në stadiumin me bari sintetik në Ferizaj.
Trajneri i Ferizajt, Andrej Panadiq është shprehur i lumtur me pikët e plota të fituara nga skuadra e tij.
“Jam shumë i kënaqur me fitoren, pasi kemi luajtur shumë mirë taktikisht në pjesën e parë. Por, nuk jam i kënaqur edhe me paraqitjen e ekipit në pjesën e dytë edhe pse kishim epërsinë prej dy golave. Nuk duhet t’i lejonim kundërshtarët që aq lehtë të rrezikonte portën tonë. Është një fitore e rëndësishme në luftën tonë për mbijetesë dhe jemi ende në lojë për ta siguruar qëndrimin në Superligë. Do të vazhdojmë deri në fund dhe nuk do të dorëzohemi për ta arritur synimin tonë”, tha Panadiq për Art Sport.
Ndërkaq, trajneri i Drenicës, Bledar Devolli pranoi se ekipi i tij është dorëzuar për të siguruar mbijetesën.
“Ne po mundohemi ta respektojmë kampionatin, sepse historia ka mbaruar. Por, nuk po na lënë ta respektojmë kampionatin. Më vjen keq për lojtarë dhe për neve si staf që po punojmë gjatë javës për t’u përgatitur për ndeshje. Ia bëmë edhe më të thjeshtë fitoren ekipit kundërshtar, sepse kemi bërë gabime personale. Nuk dua të jap koment, sepse nuk dua të dënohem, por po e shihni edhe vet. Edhe katër ndeshje kanë mbetura dhe do të shohim të krijojmë një ekip për të qenë të gatshëm për sezonin e ardhshëm, që të kthehemi në Superligë sërish”, ka thënë Devolli.
Ferizaj me këtë fitore vazhdon të mbetet i parafundit me 34 pikë.
Drenica është në vendin e fundit me 23 pikë, dhe thuajse edicionin e ardhshëm do të bëjë gara në Ligën e Parë të Kosovës./Lajmi.net/