Qeveria s’e rriti ende pagën minimale, opozita e akuzon se e la ligjin “në sirtarë”

Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka mbetur në sirtarë të Kuvendit të Kosovës, vlerësojnë partitë opozitare në Kuvend. Në lidhje me këtë çështje, Ekonomia Online ka kërkuar sqarime nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, por që i njëjti nuk ka dashur të flasë.…

Lajme

01/05/2023 08:24

Projektligji që do t’i hapte rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka mbetur në sirtarë të Kuvendit të Kosovës, vlerësojnë partitë opozitare në Kuvend.

Në lidhje me këtë çështje, Ekonomia Online ka kërkuar sqarime nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, por që i njëjti nuk ka dashur të flasë.

E në lidhje me këto vonesa, kritika kanë partitë opozitare.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë për Ekonomia Online se pakënaqësitë e tyre ndërlidhen me mundësinë e Qeverisë që veteranët t’i lë jashtë pagës minimale.

“Realisht mazhoranca e ka bllokuar këtë rast Ligjin e Pagës Minimale. Është momenti që të vijë në lexim të dytë, dhe ne nuk kemi qenë të kënaqur dhe kemi pakënaqësitë tona, është e pakuptimtë dhe e palogjikshme të mendohet paga minimale pa veteranët e Ushtrisë Çlirimtare. Ne e dimë që jo që nuk janë të përfshirë në Ligj veteranët por e kemi parë që edhe çfarë fyerje u kanë bërë veteranëve nga minisri i Financave”, u shpreh Beqa.

Kritika për mosprocedim të Ligjit për Pagën Minimale ka edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi. Thotë se në Qeveri ka ardh me parimin për të rritur pagën minimale.

“Kjo Qeveria ka ardh në pushtet me parimin se do ta rrisin pagën minimale. Tash e dy vjet ai Projektligj fshehët nëpër sirtarët e Qeverisë dhe Kuvendit, mirëpo po presim që sa më shpejt të vijë, për arsye se kemi një rritje të inflacionit dhe qytetarët nuk po mund t’ia dalin me ato paga që i kanë. Është dashur që të jenë edhe veteranët aty, mirëpo po e shohim se kjo Qeveri asnjëherë nuk i ka respektuar veteranët”, thotë Krasniqi.