Hoti: Nuk ka menaxhim të mirë, parashikimi ekonomik për vitin 2023 nuk është më i mirë se ai i vitit 2022

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë pjesës së parë të mandatit qeverisës, Qeveria Kurtit, nuk ka bërë punë efektive sa i përket punësimit, uljes së inflacionit apo rritjes së ekonomisë. Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se viti që kaloi u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive derisa sipas tij…

Lajme

17/04/2023 11:05

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë pjesës së parë të mandatit qeverisës, Qeveria Kurtit, nuk ka bërë punë efektive sa i përket punësimit, uljes së inflacionit apo rritjes së ekonomisë.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti ka shkruar se viti që kaloi u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive derisa sipas tij një parashikim i tillë shihet edhe për vitin 2023.

“Kaloi gjysma e mandatit qeverisës dhe asnjë shenjë nuk e bëri në ekonomi qeveria e “punësimit dhe drejtësisë”. Viti 2022 u përshkua me mungesë të qeverisjes efktive, e cila do t’i mbronte qytetarët nga inflacioni dhe do të promovonte zhvillim ekonomik. Parashikimi për vitin 2023 po ashtu nuk është më i mirë.

1.Rritja ekonomike më 2022 prej 3.5 për qind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private. Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për  -6.9 për qind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 për qind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.

2.Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni.

3.Eksportet u rritën me 27%, por për shkak të bazës së ulët nuk kishin efekt të ndjeshëm në uljen e deficitit tregtar. Në anën tjetër, importet u rritën me 22%, dhe për shkak të madhësisë së tyre, deficiti tregtar u thellua edhe për 1 miliardë euro. Kjo është indikative se në tregun vendor ende nuk ka rritje substanciale të prodhimit vendor, siç trumbetohet nga qeveritarët”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.