Rënia e ndjeshme e rritjes ekonomike në Kosovë, sfidë për konsumatorët dhe bizneset

Raportet e institucioneve ndërkombëtare thonë se trysnia e krijuar nga inflacioni global pas agresionit rus në Ukrainë, ka ndërprerë rrugën e rimëkëmbjes së hovshme ekonomike të Kosovës. Institucione si Banka Botërore kanë ulur parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës këtë vit në 3.2 për qind, një shifër shumë më e ultë se vitin e kaluar…

Lajme

04/12/2022 19:37

Raportet e institucioneve ndërkombëtare thonë se trysnia e krijuar nga inflacioni global pas agresionit rus në Ukrainë, ka ndërprerë rrugën e rimëkëmbjes së hovshme ekonomike të Kosovës.

Institucione si Banka Botërore kanë ulur parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës këtë vit në 3.2 për qind, një shifër shumë më e ultë se vitin e kaluar kur Kosova shënoi rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Në një punëtori të vogël në qendër të Prishtinës, Veton Jusufi prej mbi 35 vjetësh ushtron zejen e prodhimeve nga lëkura. Në rafte shihen çanta e kuleta, punë dore e zotit Jusufi.

“Punoj vetëm me një lloj të lëkurës, është lëkurë lope e cila përpunohet vetëm në ujë të perimeve edhe në kripë. Procesi i përpunimit të një cope të lëkurës zgjatë diku 40 ditë, meqë rri në ujë pastaj i hiqen qimet më dërrasë dhe teret në diell. Ajo neve mandej na mundëson kohëzgjatje, gravim, ngjyrosje edhe shumëçka tjetër”, thotë zoti Jusufi.

Ai thotë se interesimi për prodhimet e tij është i lartë por fuqia blerëse është e kufizuar, shkruan VOA.

“Nuk ka njeri që kalon këtu pranë dyqanit e nuk ndalet të shohë e të pyesë për punën tonë. Por për standardin që e kemi ne sot, këto janë mallra të shtrenjta, edhe pse ne punojmë me një të pestën e çmimit sa e kanë vlerën këto punime në perëndim, por prapë është shtrenjtë për komunitetin tonë”, thotë ai.

Që nga agresioni rus në Ukrainë, mirëmbajtja e kësaj veprimtarie është bërë edhe më sfiduese për të, për shkak të çmimit të lëndës së parë.

“Çmimi i lëkurës është rritur mbi 30 për qind si çmim, si vlerë e cila për bazë e ka dollarin. Tash në muajt e fundit devalvimi i euros në krahasim me dollarin na e ka shtrenjtuar edhe për 15 për qind lëkurën, njëjtë ngjyrat, ngjitësit e të gjitha tjerat që lëvizin në bazë të berzës e dollarit. Pra çmimet mund të them se kanë shkuar deri në 40 apo 45 për qind më lart se që kanë qenë”, thotë ai.

Në përpjekje për të ruajtur klientët, ai thotë se nuk i ka ngritur çmimet e prodhimeve aq sa janë ngritur çmimet e lëndëve të para.

“Në princip ka qenë kjo, por edhe ngritja e një çmimi prej 40 apo 50 për qind është shumë e madhe dhe në një mënyrë psikologjikisht ndikon shumë te njerëzit. Atëherë ne kemi menduar të bëjmë një zbritje të fitimit, një ngritje të çmimit edhe ta sjellim në një vend ku as klienti nuk do ta vërej shumë por edhe ne të mos punojmë me humbje”, thotë ai.

Sipas raporteve nga institucionet ndërkombëtare, trysnia e krijuar nga inflacioni global pas agresionit rus në Ukrainë, ka ndërprerë rrugën e rimëkëmbjes së hovshme ekonomike të Kosovës pas pandemisë së COVID-19.

Institucione si Banka Botërore kanë ulur parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës këtë vit në 3.2 për qind, një shifër shumë më e ultë se vitin e kaluar kur Kosova shënoi rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Ekspertë të fushës së ekonomisë thonë se këto parashikime kanë qenë të pritshme për shkak të krizës ekonomike që ka nxitur gjithandej lufta në Ukrainë.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Lekë Musa, njohës i fushës së ekonomisë, tha se konsumi ka qenë faktor thelbësor i zhvillimit ekonomik të Kosovës në 20 vjetët e fundit, ndërsa theksoi se rënia e tij godet posaçërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Tani në kohë krizash konsumi ka tendencë të ngadalësohet dhe të bie dhe të ketë një ndikim në shumë sektorë, kryesisht atë primar të furnizimit, e dijmë që në Kosovë shporta e konsumit kryesisht ka të bëjë me produktet bazike ushqimore dhe mund të pritet që kjo të ketë një efekt në ndërmarrje të vogla dhe të mesme për shkak të rënies së konsumit dhe kjo atuomatikisht do të ketë edhe efektin në vende të punës”, thotë ai.

Ish kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i tha Zërit të Amerikës se rënia e rritjes ekonomike të Kosovës ngre shqetësime mbi mirëqenien ekonomike në vend.

“Ka pasoja në të ardhurat e qytetarëve, ka pasoja në shumë projekte të cilat kanë qenë të pritshme në përmirësimin e infrastrukturës publike, përmirësimin e sektorit të energjisë e kështu me radhë. Në fund të ditës pasojat e një rënieje të tillë të rritjes ekonomike e ndiejnë qytetarët, e ndiejnë kompanitë dhe normalisht pjesa tjetër që janë të ndërlidhur dhe sigurisht buxheti i vendit”, thotë zoti Rukiqi.

“Çmimet janë ngritur, mundësia e blerjes ka rënë, njerëzit janë në krizë mjaft të madhe. Meqë rritja ekonomike te ne është e ultë, mendoj se kjo krizë ekonomike në kohën e fundit është një ndër krizat më të mëdha që kemi përjetuar ne si qytetarë të rëndomtë”, thotë Bashkim Shkurti, banor i Prishtinës.

“Gjatë këtij viti çmimet janë rritur në shkallë të papërballueshme për familjet, pagat pë rata që janë në punë kanë mbetur të njejta si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Gjithashtu nuk kanë lëvizur pensionet qe sa vite, në të gjitha shtetet serioze pensionet duhet të lëvizin në bazë të shkallës së inflacionit”, thotë një tjetër banor i Prishtinës, Sejdi Osmani.

Në raportin e Bankës Botërore thuhet se në kontekstin aktual, për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve duhet të mbështeten kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

Sipas një hulumtimi të Institutit për Studime të Avancuar GAP, qeveria e Kosovës nga muaji janar e deri në muajin qershor të këtij viti ka ndarë mbi 125 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike.

Zoti Musa tërheq vërejtjen te mënyra e organizimit të ndihmës financiare për kategoritë e cenueshme.

“Mendoj se politikat duhet të planifikohen në një formë që përpos ndikimit direkt te shtresat që dëshirohet të ndihmohen, të arrijmë të kemi edhe një ndikim në ekonomi. Kjo mund të bëhet duke bërë përzgjedhjen e duhur të këtyre shtresave që ndihmohen por edhe të shihet në anën tjetër që kjo ndihmë të jetë e ndërtuar në atë formë që efektet të ndërlidhen me sektorë të caktuar ku në mënyrë indirekte ndihmohen ta zëmë këta sektorët primarë të prodhimit të ushqimeve apo të një zinxhiri të furnizimit i cili mund të krijojë edhe vende pune”, thotë ai.

“Urgjentisht të trajtohet kjo pjesa e investimeve publike, urgjentisht të merren masa për të lehtësuar investime në energji që janë disa prej investimeve që mund të nxisin kapital privat apo edhe projekte publiko private, e njejta vlen për shëndetësinë, e njejta vlen edhe për pjesën e përkrahjes së vazhdueshme për eksport, për ta shfrytëzuar këtë moment që kemi rritje të eksportit dhe ta dyfishojmë atë”, thotë zoti Rukiqi.

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2023 pritet të jetë tre deri katër për qind. Koso