Shteti heq dorë nga të rinjtë pa përkujdesje prindërore, përfundojnë edhe në Institutin e Shëndetit Mental në Shtime
Për shumë fëmijë në Kosovë, të braktisur e të keqtrajtuar, që janë vendosur në një nga format e kujdesit alternativ, gjithçka bëhet më e vështirë kur ata arrijnë moshën 18 vjeçare. Sipas ligjeve në Kosovë ata konsiderohen të rritur, të pavarur dhe rrjedhimisht humbin çdo përkrahje financiare apo në forma të tjera nga shteti, shkruan…
Lajme
Për shumë fëmijë në Kosovë, të braktisur e të keqtrajtuar, që janë vendosur në një nga format e kujdesit alternativ, gjithçka bëhet më e vështirë kur ata arrijnë moshën 18 vjeçare.
Sipas ligjeve në Kosovë ata konsiderohen të rritur, të pavarur dhe rrjedhimisht humbin çdo përkrahje financiare apo në forma të tjera nga shteti, shkruan lajmi.net.
Ligji në fuqi për Shërbime Sociale dhe Familjare nuk parasheh ndonjë mbështetje për këtë kategori. Rrjedhimisht, ata duhet të gjejnë zgjidhje vetë sa i përket banimit dhe funksionimit tutje.
Gjatë këtij viti tre të rinj nga Sos Fshatrat kanë dalë në programin e pavarësimit dhe kanë zgjedhur të jetojnë së bashku, me mbështetjen financiare nga kjo organizatë.
Por, këshilltarja për avokim në SOS Fshatrat e Kosovës, Remzije Krasniqi konsideron se këta të rinjë nuk janë të përgatitur për qenë plotësisht të pavarur.
“Në kulturën tonë jo gjithmonë ne e shohim që fëmijët me 18 vjet pavarësohen nga familjet. Do të thotë duhet kohë ende që ata të arrijnë të aftësohen profesionalisht, t’i përfundojnë studimet nëse kanë vendosur, ose ta gjejnë një punë stabile për ta mbajtur veten dhe anëtarët tjerë që ata mund të jetojnë”, tregoi ajo për emisionin “Shenjë”.
Në anën tjetër, më e rëndë situata bëhet për këta të rijnë të cilët janë me aftësi të kufizuara. Disa prej tyre vendosen në edhe në Institutin e Shëndetit Mental në Shtime. E, kjo po kundërshtohet nga Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve.
“Për fat të keq këta fëmijë mbesin pa përkujdesje, pa mbështetje edhe pse organizatat tona anëtare kanë bërë përpjekje që pavarësisht pengesave ligjore që kanë t’i ofrojnë mbështetje…Çka ndodh më shumë prej këtyre fëmijëve, sidomos ata që janë me aftësi të kufizuar, pas moshës 18 vjeçare dërgohen në institutin e Shtimes, e cila për neve është diçka shumë negative sepse nuk është vendi ku ata do të duhej të ishin. Ata do të duhej të vazhdojnë të rriten në familje sepse edhe për shkak që i kanë 18 vjeç nuk janë të aftë të përkujdesen për vete, nuk kanë punë, nuk kanë njerëz të afërt e kështu me radhë”, bëri të ditur Bukureza Surdulli nga Koalicioni i Organiztave për Mbrojtjen e fëmijëve.
Gjithashtu ngrihet alarm se këta të rinjë mund të jenë viktima të trafikimit dhe abuzimit.
Krasniqi theksoi se më të rrezikuarit për të qenë viktima të tilla janë të rinjë me probleme psikofizike dhe me aftësi të kufizuara.
“Megjithatë ka raste edhe më të rënda që fëmijët përveç që janë pa përkujdes prindëror nëse kanë qenë edhe me gjendje të rëndë psikofizike ose aftësi të kufizuar nuk kanë arritur familjet strehuese me vazhdu kujdesin mund të përfundojnë edhe në venet ku mund të jetë edhe më e dëmshme pjesa e zhvillimit të tyre apo edhe në rastet më të këqija kur të rinjtë vetëm largohen prej familjes dhe mbesin të vetëm edhe që mund të jenë potencialisht do të thotë viktima çoftë të trafikimit apo abuzimit apo formave të tjera që d ta dëmtonte të gjithë rritjen dhe përkrahjen që e kanë marrë çoftë në organizata apo familje strehuese”, deklaroi ajo.
Për këtë, organizatat kanë kërkuar që në ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare të përcaktohet që kohëzgjatja e kujdesi alternativ për fëmijët pa përkujdesje prindërore të jetë deri në moshën 26 vjeçare.
Derisa kjo të arrihet, SOS Fshatrat kanë programin e gjysmë pavarësimin dhe pavarësimit të plotë, që ndihmojnë të rijnë që dalin nga kujdesi alternativ deri në moshën 22 vjeçare.
“Tash përqindja e përkrahjes domethënë dallon edhe përcaktohet edhe në bazë të një buxheti familjar, aq sa organizata mund të ndajë fonde për ta. Vitin e parë e kanë 75%, që i bie përafërsisht një i ri i mund të merr 200 euro për muaj e ato që mund t’i përdorë do të thotë për pagesë të qeras apo shpenzime të tjera që mund t’i ketë komunale shpenzime ushqimi, veshmbathje, shpenzime për studime. Vitin e dytë është 50%, ndërsa vitin e tretë 35%. Vetëm se gradualisht përgjatë këtyre tre viteve. Prandaj edhe të rinjtë mund të përgatiten edhe psiqikisht, por edhe në aspektin psiko-social edhe financiar për të gjetur mundësi të tjera të financimit”, tregoi Krasniqi nga SOS Fshatrat e Kosovës.
Derisa institucionet e nivelit qendrorë, nuk kanë dhëna të publikuara për fëmijët pa përkujdesje prindërore, sipas organizatave jo-qeveritare, deri në muajin tetor të këtij viti, numri i fëmijëve të vendosur në strehim familjar ka arritur ne 53, ndërsa 450 fëmijë pa përkujdesje prindërore janë vendosur në farefis.
Ndërkaq, problem tjetër për fëmijët dhe rinjtë pa përkujdesje prindërore është mungesa e familjeve strehuese nëpër komuna. Derisa në Pejë, Vushtrri, Podujevë, Skenderaj e në disa qytete tjera të Kosovës nuk asnjë familje strehuese, Gjakova prinë me numrin e këtyre familjeve. Në këtë komunë aktualisht janë shtatë familje të tilla.
Ibadete Krasniqi nga Organizata për Fëmijët pa Kujdes Prindëror ka bërë të ditur se këtë vit pritet që një i ri i vendosur në strehim familjar të arrijë moshën 18 vjeçare, derisa vitin e kaluar kanë qenë katër raste, tre prej tyre me aftësi të kufizuara.
“Por kemi edhe raste si fëmijët me nevoja të veçanta të cilët do të thotë statusin e kanë fëmijë të braktisur dhe nuk kanë mundur që të vendosen çoftë në adoptim vendor apo ndërkombëtarë dhe ata fëmijë me diagnoza pak të rënda kanë mbetur në këto familje strehuese, deri në momentin kur organi i kujdestarisë do të thotë ka vendosur që të largohen këta fëmijë. Fatkeqësisht janë rikthyer në një vend në shtëpi të komunitetit për shkak që edhe pse kanë qëndruar edhe dy vite më tepër sesa që i kanë mbushur moshën 18 vjeçare me familje nuk kanë marrë ndonjë mbështetje financiare për shkak se me rregulla nuk lejohet nga niveli qendrorë sepse nuk ka hyrë në fuqi udhëzimi. Prapë se prapë familjet janë kujdesur, komuna është munduar t’i mbështesë por këta do të thotë madhorë janë vendosur në shtëpi komuniteti aty do të thotë ku do ta vazhdojnë rrugëtimin e jetës së tyre”, tha ajo.
Derisa është e paraparë që të rinjtë pa përkujdesje prindërore e me aftësi të kufizuara të vendosen edhe në shtëpitë e komunitetit, në këtë proces po del të ketë vështirësi. Kjo pasi në gjithë Kosovën ekzistojnë vetëm tri të tilla. Këtë e ka bërë të ditur edhe drejtori i Qëndrës për Punë Sociale në Gjakovë, Dervish Tahiri.
“Është një problematikë e cila nga ka përcjell pikërisht neve si Qendër për Punë Sociale në Komunën e Gjakovës, kemi pasë tre fëmijë e kanë kaluar moshën 18 vjeçare dhe diku afro pesë vite jemi ballafaquar me probleme të këtyre fëmijëve, sepse numri i familjeve në komunitet, të cilat e kem detyrë të fundit më i vendos në fund sepse nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër, ka qenë i mbushur hapësira, mundësitë me i vendos. Megjithatë komuna me politikat e veta, në vazhdimësi kemi nda një formë buxheti që familjet strehuese i kemi financuar. Në këtë rast këta tre fëmijë na kanë ndihmuar një kohë të gjatë organizatat joqeveritare OFAP e cila e ka paguar një pjesë të financave të familjeve strehuese për këta fëmijë”, tregoi ai.
Ndërkaq nga KOMF, bëjnë të ditur gjithashtu se në vend nuk po implementohet Ligji për Mbrojtjes e Fëmijëve, i cili sheh jetesën e pavarur të mbikëqyrur.
“Padyshim fëmijët pa përkujdesje prindërore sidomos pas arritjes së moshës 18 vjeç janë fëmijë të lënë anash edhe që kanë qenë pa përkujdesje pa fokus, pa mbështetje institucionale deri më tani dhe po vazhdon me qenë. …Por edhe pse ka hyrë në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës jemi të vetëdijshëm se deri më tani, nga viti 2020 deri në dy vitet e ardhshme, do të thotë një monitorim që e kemi realizuar, ky ligj nuk ka filluar të implementohet ende . Për këtë ne si koalicion jemi duke zhvilluar punëtoritë tash e disa muaj nëpër të gjitha komunat që me rritë vetëdijen edhe të fillohet të implementohet ky ligj”, tha ajo. /Lajmi.net/