BQK: Norma mesatare e inflacionit në 2023, pritet të bie në 6.2 përqind
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, norma mesatare e inflacionit për vitin 2022 në Kosovë, pritet të jetë 11.6 përqind, ndërsa pritet të bie në 6.2 përqind gjatë vitit 2023. “Sipas zhvillimeve të deritanishme dhe po qe se nuk paraqiten pengesa shtesë në zinxhirët e furnizimit dhe…
Lajme
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, norma mesatare e inflacionit për vitin 2022 në Kosovë, pritet të jetë 11.6 përqind, ndërsa pritet të bie në 6.2 përqind gjatë vitit 2023.
“Sipas zhvillimeve të deritanishme dhe po qe se nuk paraqiten pengesa shtesë në zinxhirët e furnizimit dhe dinamikat e tregtisë globale dhe çmimeve në tregjet ndërkombëtare, inflacioni në Kosovë pritet të arrijë 13.5 përqind gjatë TM3 2022, dhe të bie në 12.3 përqind gjatë TM4 2022”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për “Vlerësimim Tremujor të Ekonomisë”.
Pritjet e bankave për inflacionin, sipas raportit tregojnë trend rritës përgjatë vitit 2022, mirëpo i cili mbetet nën nivelin e projektuar nga BQK dhe nën nivelin aktual të inflacionit deri më tani, raporton RTKlive. “Për të zbutur ndikimin e inflacionit në ekonomi qeveria ka ndërmarrë disa masa ndër të cilat përfshihet vendosja e çmimeve tavan për derivatet (dizel, benzinë, dhe gaz) nga qershori, si dhe aprovimi i pakos për përballje me inflacion në vlerë prej 150 milionë euro, që parashihet të subvencionojë faturat e energjisë elektrike sipas kritereve që stimulojnë kursimin e energjisë, rritjen e pagave në sektorin privat, si dhe rritje të njëhershme të skemave sociale dhe pensionale dhe mbështetje financiare të njëhershme për kategori të ndryshme”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për “Vlerësimim Tremujor të Ekonomisë”.
BQK-ja njfoton se buxheti i Kosovës ka shënuar suficit primar buxhetor prej 58.4 milionë euro në TM2 2022, si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave buxhetore krahasuar me shpenzimet, ndërkohë që borxhi publik ka rënë në 20.8 përqind të BPV-së.
Sipas raportit, tё hyrat buxhetore gjatë TM2 2022 arritën vlerën neto 587.6 milionё euro (11.4 përqind rritje), përderisa shpenzimet buxhetore arritën vlerën 529.2 milionё euro (10.1 përqind rritje) dhe rrjedhimisht, Buxheti i Kosovës regjistroi bilanc primar buxhetor prej 58.4 milionë euro gjatё kёtij tremujori.
Sistemi financiar, sipas BQK-së, është karakterizuar me qëndrueshmëri dhe pa ndonjë rrezik të materializuar gjatë TM2 2022, përkundër shqetësimeve rreth ngadalësimit ekonomik, presioneve inflacioniste dhe pasigurive të rritura në tregjet ndërkombëtare.
“Sektori bankar ka arritur të sigurojë nivel të lartë të kapitalizimit dhe likuiditetit si dhe të mbajë nivel të ulët të kredive jo performuese ndër vite, gjë që rezulton të jetë përkthyer në rritje të kapacitetit absorbues të sektorit. Përderisa ekspozimi i drejtpërdrejtë i sektorit bankar në vend ndaj luftës në Ukrainë është mjaft i kufizuar, rreziqet nga zhvillimet jo të favorshme gjeopolitike, makroekonomike e financiare vlerësohet të jenë transmetuar kryesisht në mënyrë indirekte përmes presionit në nivelin e çmimeve”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për “Vlerësimim Tremujor të Ekonomisë”.
Edhe sektori i sigurimeve rezulton të ketë ruajtur nivelin e rritjes së aktivitetit të një viti më parë, favorizuar nga niveli më i lartë i primeve të arkëtuara dhe rritjes më të ngadalësuar të dëmeve të paguara. Sipas BQK-së, sektori ka operuar me fitim, duke ndikuar në zvogëlim të mëtejmë të humbjeve të akumuluara ndër vite.
Me rritje të përshpejtuar të aseteve u karakterizua edhe sektori mikrofinanciar, atribuar kryesisht rritjes së aktivitetit kreditor. “Indikatorët e shëndetit financiar gjithashtu tregojnë për stabilitet të sektorit në përgjithësi, ndërkohë që rezultati financiar rezulton të jetë më i larti që nga konsolidimi i sektorit. Në periudhat në vijim, dinamikat e rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare pritet të reflektohen në rritjen e kostove të financimit për sektorin mikrofinanciar”, thuhet në raport.
Edhe tregtia e jashtme rezulton të jetë rimëkëmbur nga rënia e shënuar në tremujorin paraprak, me rritjen e eksportit të mallrave dhe shërbimeve për 13.6 përkatësisht 49.8 përqind, ndërkohë që importi i mallrave dhe shërbimeve ka shënuar rritje për 1.0 përkatësisht 23.8 përqind në terma real, ndërsa deficiti i eksporteve neto ishte më i ulët për 16.3 përqind.
Sipas BQK-së, eksporti i shërbimeve arriti vlerën prej 499.6 milionë euro në TM2 2022, një rritje vjetore prej rreth 60.55 përqind. “Eksporti në shërbime shënoi rritje të theksuar si rezultat i rritjes së eksportit të shërbimeve në kategorinë e udhëtimit, kategori që arriti vlerën prej rreth 346.33 milionë euro. Në TM2 2022, të ardhurat nga kategoria e shërbimeve të udhëtimit kishin një pjesëmarrje prej 16.4 përqind në gjithsej BPV-në e gjeneruar në vend. Rritje e lartë vjetore prej 33.2 milionë euro është shënuar edhe tek eksporti i shërbimeve kompjuterike dhe të telekomunikacionit, kategori që arriti në 52.1 milionë euro në TM2 2021. Importi i shërbimeve gjatë TM2 2022 ka shënuar rritje, ku vlera e importit në të gjitha shërbimet ka arritur në 264.66 milionë euro, një rritje vjetore prej 34.3 përqind krahasuar me TM2 2021. Rritje më e lartë është shënuar edhe tek importi i shërbimeve të transportit dhe udhëtimit, që ndërlidhet edhe me rritjen e kostove si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave kryesore”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për “Vlerësimim Tremujor të Ekonomisë”.
Për investimet e huaja direkte në TM2 2022, BQK njofton se arritën në vlerë prej 210.78 milionë euro, apo 74.16 përqind më shumë krahsaur me TM2 2021. “Rritja më e madhe është vërejtur tek kapitali dhe fondi i investimeve në aksione prej rreth 129.12 milionë euro, apo 57.62 përqind rritje krahsuar me TM2 2021. Ndërsa instrumentet e borxhit shënuan rritje prej 36.7 milionë euro apo 21.4 milionë euro më shumë sesa në TM2 2021. Struktura e IHD-ve mbeti e pandryshuar, e koncentruar kryesisht në sektorin e patundshmërive (56.92 përqind e gjithsej IHD-ve në TM2 2022) dhe sektorin financiar. Kjo rritje e IHD-ve në patundshmëri ndër të tjera mund t’i atribuohet edhe rritjes së çmimeve të inputeve për koston e ndërtimit që shënuan rritje vjetore prej 19.8 përqind gjatë TM2 2022. Performanca e kompanive në sektorët tjerë ishte e mirë ku bilanci i fitimit të ri-investuar deri në qeshor ishte për 89.0 përqind më i lartë krahasuar me TM2 2021”, thuhet në raport.
Po ashtu edhe deri në qershor 2022, kreditë aktive arritën vlerën prej 4.12 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 17.4 përqind.
Në kuadër të kredive për korporatat jo financiare, sektori i tregtisë është më i kredituari ndër vite, pasuar nga ai prodhimtarisë, që është zgjeruar gradualisht në vitet e fundit, si dhe i ndërtimtarisë.
“Kreditimi ndaj sektorit të bujqësisë, pavarësisht mbështetjes nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), vazhdon të ketë peshë mjaftë të ulët. Deri në qershor të vitit 2022, kreditimi ndaj sektorit të prodhimtarisë kishte kontributin më të lartë në rritjen e gjithsej kredive për segmentin e korporatave jofinanciare, duke shënuar rritje më të përshpejtuar vjetore prej prej 45.6 përqind (37.2 përqindje në vitin paraprak), apo për 158.8 milionë euro. Po ashtu, kreditimi ndaj sektorit të tregtisë dhe ndërtimtarisë shënuan rritje prej 108.0 milionë euro (10.7 përqind rritje) dhe 62.8 milionë euro (21.5 përqind rritje), por që është më e ngadalësuar se viti paraprak (13.4 përqind dhe 36.1 përqind”, thuhet në raport.
Ndërsa vlera e stokut të depozitave në fund të qershorit 2022 arriti në 4.83 miliardë euro , që paraqet një rritje vjetore të ngadalësuar prej 8.0 përqind, nga 14.7 përqind në qershor 2021.