Mbi një muaj pa ministër të Shëndetësisë, Kurti s’e ka ndërmend ta emërojë

Problemet në sistemin e shëndetësisë në Kosovë po vazhdojnë t’i sfidojnë institucionet e qytetarët. Sfidat me të cilat iu duhet të përballen qytetarëve të Kosovës çdoherë kur kanë nevojë për trajtime mjekësorë, janë shpesh herë të dhimbshme. Për të ikur nga përballja me shëndetësinë kosovare, shumë prej tyre zgjodhën që të kërkojnë trajtim jashtë vendit…

Lajme

10/11/2022 20:38

Problemet në sistemin e shëndetësisë në Kosovë po vazhdojnë t’i sfidojnë institucionet e qytetarët.

Sfidat me të cilat iu duhet të përballen qytetarëve të Kosovës çdoherë kur kanë nevojë për trajtime mjekësorë, janë shpesh herë të dhimbshme.

Për të ikur nga përballja me shëndetësinë kosovare, shumë prej tyre zgjodhën që të kërkojnë trajtim jashtë vendit duke përdorur mënyra të shumta për ta siguruar shkuarjen e më pas trajtimin si në rajon, Turqi, Gjermani, Kroaci e shpesh herë edhe më larg.

Raste të shumta ka kur të njëjtit janë detyruar që të kërkojnë trajtim edhe në Serbi, për shkak të mungesës së aparaturave për sëmundje të rënda, që në të shumtën e rasteve nuk iu sigurohen as barërat elementare.

Por i gjithë ky kaos në ministrinë e Shëndetësisë nuk u rregullua as me “Qeverinë e Shpresës”, të kryeministrit Albin Kurti.

Madje veçse u bë edhe më “tollovi”. Ministria e Shëndetësisë assesi nuk është rehat në drejtimin e saj sa i përket ministrave.

Ngjashëm ndodhi edhe me ministrin e fundit në krye të saj, Rifat Latifi. Latifi kishte njoftuar për dorëheqjen e tij, pas pak ditëve ishte larguar drejt Amerikës nga ku edhe erdhi për të “kontribuar” në mjekësinë e Kosovës.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, që nga sot me datën 6 tetor, 2022”, thuhet në vendimin e dorëheqjes dërguar kryeministrit Kurti.

Madje në momentin kur Latifi ishte emëruar ministër, fjalë të mëdha për të kishte zgjedhur kryeministri Kurti.

“Doktor Rifat Latifi ka lindur në Klloderncië të Skenderajt, ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe ka kryer dy specializime për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji dhe reaminacion në SHBA. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përshinë qendra spitalore dhe universitete me emër në disa shtete federale në SHBA. Doktor Latifi aktualisht punon si profesor i departamentit të kirurgjisë në kolegjin e Nju Jorku”, u shpreh Kurti.

Por pavarësisht kontributit të tij në shëndetësi, ministri Latifi nuk ia doli që të zgjidh as më të voglin problem në shëndetësinë kosovare.

Problemet kyçe vazhdojnë të jenë aktive, e kjo vërehet çdo ditë në secilën klinikë në Kosovë, në ato të spitaleve në qytetet e tjera, por edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për një muaj Ministria e Shëndetësisë vazhdon të jetë pa ministër, me ushtruese detyre. Pavarësisht që kaloi një muaj kohë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ende nuk ka marrë vendim për emërimin e ministrit të ri të Shëndetësisë.

Shëndetësia ende mbetet “kriza” e madhe e Kosovës, për zgjidhen e së cilës premtuan shumë ministra, por që ende vazhdon të jetë e varur shpesh herë nga ushtruesit e detyrave që rrallë herë arrijnë të marrin ndonjë vendim profitabil për qytetarët. /Lajmi.net/