Hoti ia vë lapsin: Dështim total, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në analizën që ia ka bërë raportit të buxhetit për periudhën janar-shtator të këtij viti, ka konsideruar se si rezultat i mungesës së investimeve kapitale, 200 milionë euro më pak qarkullojnë në ekonominë kosovare. Kështu ka deklaruar deputeti aktual i LDK-së me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke e…
Lajme
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në analizën që ia ka bërë raportit të buxhetit për periudhën janar-shtator të këtij viti, ka konsideruar se si rezultat i mungesës së investimeve kapitale, 200 milionë euro më pak qarkullojnë në ekonominë kosovare.
Kështu ka deklaruar deputeti aktual i LDK-së me anë të një postimi në ‘Facebook’, duke e cilësuar “dështim total” menaxhimin e buxhetit në periudhën e inflacionit nga ana e Qeverisë Kurti, shkruan lajmi.net.
“Sipas raportit të buxhetit për janar-shtator 2022, vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020. Kjo po na kushton shtrenjtë. Për shkak të mosrealizimit të shpenzimeve kapitale, sot ekonomisë i mungojnë rreth 200 milionë euro në qarkullim”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Po ashtu, ai ka thënë se me mjetet financiare që Qeveria e Kosovës ka në bankë, që numërohen rreth 678 milionë euro, mund të ishte pezulluar akciza në naftë dhe të ishte përgjysmuar Tatimi në Vlerë të Shtuar (TVSH). Edhe po t’i realizonte këto veprime, sipas Hotit, Qeveria do të kishte edhe 300 milionë euro në qarkullim.
“Këta as nuk i shpenzojnë mjetet e mbledhura për projekte, e as nuk ua lënë qytetarëve. Pasojat po i bartim të gjithë. Sot në ekonomi ka rreth 500 milionë euro më pak për shkak të paditurisë”, deklaroi ndër të tjera ish-kreu i ekzekutivit.
Qeveria Kurti në vazhdimësi ka marrë kritika përgjatë këtij viti nga opozita për mungesë të investimeve kapitale. Nga PDK-ja e LDK-ja kanë kërkuar në vazhdimësi largimin e akcizës së naftës apo përgjysmimin e TVSH-së së saj, mirëpo një gjë e tillë nuk është realizuar deri më tani.
Qeveria po “rregullon” tregun e naftës nëpërmjet publikimit ditor të çmimit tavan të naftës. Ekzekutivit po ashtu iu është aprovuar në lexim të parë edhe vendosja e çmimit maksimal në produktet esenciale. /Lajmi.net/